Na ndiqni ne Facebook

Themelohet nëndega e Partisë Guxo në Rheinland-Pfalz (Gjermani)

Në qytetin Ludwigshafen sot u themelua nëndega e parë e Partisë Guxo në landin Rheinland-Pfalz, e cila vepron në kuadër të degës së Partisë Guxo në Gjermani.

Në prani të delegatëve të nëndegës, të dy përfaqësuesve të Kryesisë së Partisë Guxo, z. Kujtim Hajdaj dhe Luan Gacaferri, por edhe të mysafirëve të ardhur nga degët simotra në Belgjikë dhe Zvicër, u mbajt Kuvendi Themelues i nëndegës dhe u zgjodhën organet e saj drejtuese. 

​   

Delegatët e Kuvendit zgjodhën si kryetar të nëndegës atdhetarin e njohur, Mr. Valdet Gashi, si nënkryetar z. Fazli Ahmeti ndërsa si sekretar z. Dehir Kelmendi. 

   

Të zgjedhurve iu urojmë mirëseardhje në mesin tonë dhe iu dëshirojmë suksese të shumta në punën e tyre. 


Falënderim i veçantë për themelimin e nëndegës i takon Këshillit Inicues të përbërë nga zotërinjtë Luan Gacaferri, Qaush Hoxhaj, Fazli Ahmeti, Lulzim Gallaj dhe plot veprimtarë dhe simpatizantë të tjerë të Partisë Guxo. 


Mërgata jonë në Gjermani në vazhdimësi, pra para luftës, gjatë luftës por edhe pas luftës ka dëshmuar nivel të lartë të organizimit në forma të ndryshme, qoftë përmes shoqatave, apo edhe përmes partive politike, në shërbim të Kosovës, lirisë, pavarësisë dhe përparimit të saj shoqëror dhe ekonomik. Në vazhdën e kësaj tradite, përmes strukturave të saj në mërgatë, Partia Guxo do të vazhdojë të japë kontribut konkret në zhvillimin e Kosovës drejt një demokracie të mirëfilltë evropiane.


Punë të shumta na presin si në Kosovë, ashtu edhe në mërgatë, duke u nisur nga forcimi i lidhjeve të mërgatës me vendlindjen, promovimi i kulturës dhe gjuhës shqipe jashtë vendit, shtimi i investimeve të mërgimtarëve tanë në Kosovë pas krijimit në Kosovë të një ambienti të favorshëm dhe pa korrupsion dhe me mundësisht sa më pak burokraci frenuese për këto investime, e deri tek programet e ndryshme për më të vegjlit tanë, gjeneratat e dyta dhe ndërkohë edhe të treta të mërgimtarëve tanë, të lindur dhe të rritur jashtë vendit. 


Partia Guxo, e cila rrënjët e saj i ka edhe në mërgatë, me një fokus të veçantë synon përfshirjen e mërgatës sonë në të gjitha zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore dhe shoqërore në Kosovë, duke besuar që roli dhe kontributi i mërgatës është thjesht vendimtar për ritmin me të cilin Kosova do të ecë drejt së ardhmes së saj. Nëndega e re në Rheinland-Pfalz është një hap më tej drejt konsolidimit të Partisë Guxo dhe lidhjes më të fortë të mërgatës me Kosovën. Degë dhe nëndegë të reja do të pasojnë në të ardhmen. 


Krejt në fund dëshiroj të falënderoj dy bashkëkryetarët e degës në Gjermani, z. Luan Gacaferri dhe Berlind Gajraku, për punën e tyre mbresëlënëse në këta pak muaj që nga themelimi i degës në Gjermani. 

Donika Gërvalla

Comments