Na ndiqni ne Facebook

RIPUSHTIMIN MEDIAL, PASTAJ USHTARAK



Rasti makabër i TV "Klan Kosova", nxori në dritë, planin sekret, jashtëzakonisht të sofistikuar të Serbisë, për ripushtimin medial, si parapërgatitje për ripushtim ushtarak të Kosovës.

 

Serbia, e vetëdijshme që, Kosovën e humbi me luftë në vitin 1999, ajo (Serbia), me dinakërinë e njohur, futi në lojë agjentura, vasalë dhe renegatë tradicionalë shqipfolës të Kosovës e cila me investime kolosale, financoi medie të shkruara e vizive në gjuhën shqipe, si mjet i mundshëm dhe i sigurtë në krijimin e opinionit publik, si fazë parapërgatitore e pushtimit medial drejt një ndërhyrje ushtarake në rrethanat e favorshme që do të krijoheshin.

 

Të gjitha Qeveritë e pas luftës në Kosovë, me dashje apo jo, mbyllën sytë, ose bashkëpunuan me protagonistë të këtyre medieve, për interesa personale e klanore, duke rrezikuar në embrion lirinë e fituar me gjak dhe vet ekzistencën e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës.

 

Rrjeti ushejzë mediatik serbo-rus, i shtrirë gjerë e gjatë në Kosovë, sidomos, pas shpalljes së pavarësisë më 2008, rrënueshëm me intensitet të shtuar u angazhua në defunksionalizimin deri në shpërbërje të shtetit të Kosovës,  përmes ideve të ndryshimit apo korrigjimit të kufijve shtetëror, si rrugë për ndërhyrje ushtarake të Serbisë. Nisur nga ky synim ekspansionist diversiv, Serbia, e koordinuar me klane mafioze me petk politik të shqiptarëve të Kosovës, krijuan "oazën", kartelën e kontrabandës, që nga droga deri te produktet ordinere dhe ato strategjike, në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

 

Goditja e bandave kriminale serbe në veri të vendit, nga organet e ligjzbatimit dhe të sigurisë së Kosovës, e ka vu Serbinë përballë pozicionit poshtërues, ndërsa segmente mediale-politike mafioze, janë ekstremizuar deri në papërmbajtje për humbjen e privilegjeve përfituese të lidhur me këtë  rrjet kriminal kontrabandist serb i diktuar nga shteti serb.

 

Kosova mund të çlirohet e të vë në binarë të duhur rregullat dhe ligjin, vetëm, nëse nuk zmbrapset, por me konsekuencë shtetndërtuese i godet në kokë gjarpinjtë kontrabandistë medio- politiko-mafiozë që operojnë në territorin e Kosovës.

 

Rrjeti ballkanik i krimit të organizuar, korrupsionit e kontrabandës në krye me Serbinë është rrezikshëm i fuqishëm i orientuar kundër Kosovës, por, populli ynë do të triumfojë mbi këtë të keqe dhe do të sigurojë perspektivën dhe zhvillimin demokratik, ligjor, ekonomik të vendit tonë.

(S.S.)

Comments