Nga se vdiq Skënderbeu?! A vdiq nga ethet e malaries? Deri tani historiografia jonë kësaj pyetjeje nuk i është “përgjigjur” saktë. Vdekja e Heroit është trajtuar në mënyrë “tangenciale”, pa u specifikuar saktë dhe në mënyrë të hollësishme. Në tekstet zyrtare nuk jepet shkaku i vdekjes.
Ndërkohë që
autorë të ndryshëm na japin përshkrime më të plota. Pjesa më e madhe e tyre
theksojnë se Skënderbeu vdiq nga ethet. Por cilat ethe i shkaktuan vdekjen
Skënderbeut? Ato të malaries?! Le t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duke i
“rreshtuar” faktet dhe argumentet njëra pas tjetrës.
Në botimin e
parë, atë të vitit 1959, të titulluar “Historia e Shqipërisë”, për vdekjen e
Heroit thuhet: “Në pragun e kuvendit një ushtri turke, duke ardhur nga Kosova,
sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili atë ditë ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk
mundi të merrte pjesë në luftime. Ushtria shqiptare këtë radhë luftoi pa
komandantin e vet dhe korri mbi turqit një fitore tjetër. Pas pak ditësh, më 17
janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjetshme, Gjergj Kastriot Skënderbeu, vdiq
në Lezhë (Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, I, Tiranë 1959,
f. 308).
Po kështu edhe në
botimin e vitit 2002, të titulluar “Historia e Popullit Shqiptar”, vdekja e
Skënderbeut trajtohet në të njëjtën mënyrë.“…Në janar 1468 Skënderbeu thirri në
Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga
Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u
doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë
lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i
cili në atë kohë u sëmur” (Grup Autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, I,
Toena, Tiranë, 2002, f. 456).
Ndërkohë që
burimet e ndryshme, dokumentet dhe tekstet historike, na japin informacion më
të bollshëm rreth vdekjes së Skënderbeut. I pari dokument zyrtar që na njofton
vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De
Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të
vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente
dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se:
“Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin
turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve ( Monumenta Hungaria e
Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr. 59, f. 93).
Më pas, lajmi
“mori dhenë” në të gjithë Europën. Njoftimin e përhapur në territoret
venedikase e mësoi në Santa Maura, në ishullin e Jonit edhe historiani
bizantin, Sfrances, i cili në “kronikën” e tij shkroi: “Në vitin 1467, në
muajin nëntor edhe unë shkova në Santa Maura…. Kurse në muajin janar të po të
njëjtit vit (1468), vdiq prej vdekjes natyrale, sundimtari i Shqipërisë, i
quajturi Skënderbe (Koço Bozhori, Lufta Shqiptaro-Turke në Shekullin XV, burime
bizantine, Tiranë, 1967, f. 108).
Edhe bashkëkohësi
i Heroit, Gjon Muzaka, i cili ishte i pranishëm në Shqipëri në vitin 1468 kur
vdiq Skënderbeu, kohë më vonë, pikërisht në vitin 1510, do të shkruante në
testamentin e tij, se: “Vetë Skënderbeun e sfilitur nga armiqtë, e gati të
pashpresë, e zunë ethet në Lezhë, ku edhe vdiq…” (Kronika e Gjon Muzakës,
cituar te Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH.B. 55, Tiranë, 2009, f.
419).
Po kështu edhe
Dhimitër Frëngu (1443-1525), një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut
dhe dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, shkruan kështu në veprën e tij
“Komentar për punët e turqve dhe të Gjergj Kastriotit, princ i Epirit”, se:
Heroi: “…u detyrua të ndalej për një kohë të gjatë në atë vend, sepse e zuri
një ethe e fortë” (Komentar për bëmat e turqve dhe të Gjergj Kastriotit
Skënderbeut, princ i Epirit, cituar te Kristo Frashëri, Skënderbeu dhe Lufta
Shqiptaro-Turke në Shekullin XV, I, Toena, Tiranë, 2005, f. 348).
Por autori që e
përshkruan më gjerësisht vdekjen e Skënderbeut është biografi i tij Barleti. Në
historinë e tij, të botuar në vitin 1510, 44 vjet pas kësaj ngjarjeje, Marin
Barleti shkruan se: “Në kohën kur ai e kish shëtitur me kalë të tërë krahinën
për të shikuar ushtrinë dhe kishte arritur më në fund në Lisos, për të thirrur
atje në mbledhje shokët dhe të konfederuarit…e zunë një palë ethe të rënda”
Marin Barleti, Histori e Skënderbeut, Tiranë, 1964, f. 489).
Më pas në librat
e ndryshëm të historisë vijojnë pohimet për një vdekje natyrore të Heroit. Dhe
të gjithë i referohen të dhënave të para, se Skënderbeu vdiq nga ethet por pa e
përcaktuar se cila sëmundje i shkaktoi ato. Biemi ose siç quhet ndryshe edhe
Tivarasi, thekson se Skënderbeun “e zunë një palë ethe të forta që e detyruan
të zinte shtratin” (Giovanni Maria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto
Scander-Begh, G. M. Rizzardi, Brescia, 1756).
Kështu Zhan Klod
Faverial, një tjetër autor shkruan se: “Më në fund, një palë ethe të larta e
ndajnë nga kjo botë, në kohën kur ai po hartonte planet për operacione të reja
bashkë me fisnikët shqiptarë, të mbledhur në Lezhë” Zhan Klod Faverial,
Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004, f. 284).
Edhe Fan Nolin në
të gjitha botimet e tij për historinë e Skënderbeut e pranon faktin se
Skënderbeu vdiq nga ethet. Në botimin e parë të vitit 1921, të titulluar
“Histori e Skënderbeut”, Noli shkruan midis të tjerave se: “Atje (në Lezhë) u
sëmur nga ethet dhe u shtri në shtrat nga i cili s’u ngrit më” (Noli, Vepra IV,
Tiranë, 1989, f. 194). Ndërkohë që këtë gjë ai e pohon edhe te botimi dytë, ai
i vitit 1947, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Po aty, f. 388).
Edhe Abas Ermenji
shkruan për këtë rast se: “…Skënderbeu u sëmur nga ethet” (Abas Ermenji, Vendi
që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Çabej, Tiranë, 1996, f. 86).
Ndërsa publicisti
dhe shkrimtari Tajar Zavalani, në veprën e tij të botuar në Londër “Histori e
Shqipnis”, përveç pranimit të këtij fakti bën edhe një përshkrim të
letrarizuar. Ai shkruan se Skënderbeu “…u mposht nga një ethe e mallkuar që nuk
i gjendej dermani” (Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Phoenix e Shtëpia e
Librit, 1998, f. 133).
Vdekjen e
Skënderbeut nga ethet e pranon si fakt edhe historiani Kristo Frashëri. Te
libri i tij “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra”, ai citon për këtë rast, autorë të
tillë si Marin Barletin, Gjon Muzakën, apo ambasadorin e Milanos Girardo De
Collis (Kristo Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra”, Toena, Tiranë, 2002, f.
476).
“Dyndja e
shqiptarëve drejt Italisë u ba ma e dendun mbas vdekjes së Skanderbegut prej
etheve malarikë në Lezhë kallndorin e vitit 1468”, referonte dikur Koliqi, në
një konferencë për Skënderbeun, të mbajtur në Kozencë, në vitin 1964 (Ernest
Koliqi, Vepra 4, Sh. B. Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 119).
Autori tjetër që
e pohon këtë gjë është Edwin Jacques. Në librin e tij “Shqiptarët”, ai pohon se
Skënderbeu vdiq nga malaria (Edwin Jacques, Shqiptarët, Kartë e Pendë, 1995, f.
212). Ndërkohë që pranimi i faktit se Skënderbeu vdiq nga sëmundja e malaries
vjen edhe nga fusha e mjekësisë.
Do të ishte Anton
Ashta, mjeku që u mor gjatë gjithë jetës së tij me studimin dhe luftën kundër
sëmundjes së malaries në Shqipëri, i cili do të theksonte se: “Malaria këputi
edhe jetën e Heroit tonë Skënderbeut” (A. Ashta, Malaria në Shqipni, U. SH. T,
Tiranë, 1961, f. 80). Dhe për treguar dëmet që sillte kjo sëmundje dr. Ashta e
ilustron në këtë mënyrë situatën. “Në vendin tonë malaria ka qenë sëmundja që
prej kohnave ma të lashta ka damtue randë shëndetin e popullit me të gjitha
pasojat shkatërrimtare”, – shkruan dr. Ashta në studimin e tij “Malaria në
Shqipni”
“Shumë qytete
bregdetare të vendit tonë plot gjallni dhe tregti në shekujt e kaluem sot janë
gërmadha, e nji ndër shkaqet e rrënimit ka qenë malaria. Mjafton me i lëshue
nji sy rretheve të Butrintos, Durrësit dhe Shkodrës për të pa damet e
shkaktueme nga epidemitë malarike. Në 1470 sa për të paraqit një shembull, nji
epidemi e randë malarike u zhvillue në Shkodër e ushtria turke që rrethonte
Shkodrën pësoi prej malaries nji humbje prej 20 000 vetash (Po aty, f. 7).
Nëse do t’i
referoheshim këtij autori, shohim se Lezha, vendi ku vdiq Heroi, përfshihej në
zonën me infeksion të rëndë malarik. Po t’i referohemi statistikave të vitit
1945, indeksi i njerëzve me shpretkë të zmadhuar në këtë zonë arrinte në
shifrën 20.6 % ( Po aty, f. 86). Ndërkohë që në të kaluarën nuk ishte vetëm
rajoni i Ultësirës Perëndimore që vuante nga malaria. Në një shkallë më të
vogël, malaria, ishte ekzistente edhe në zona të tjera të Shqipërisë, si në
Krujë, Mat dhe Dibër, të cilat dikur ishin pjesë përbërëse e principatës së
Kastriotëve dhe shtetit të Skënderbeut.
Në historiografi
ekzistojnë edhe disa hipoteza të tjera të cilat theksojnë se Skënderbeu vdiq
nga shkaqe të tjera. Ndër to, më kryesorja dhe më intriguesja është ajo që
thekson se Heroi vdiq nga helmimi. Autori i saj është Rafael Volaterrano i cili
te “Komentarët” e tij shkruan se Skënderbeu “vdiq i helmuar” (Rafael
Volaterrano, Comentari, libri III, f. 188). Interesantja e kësaj teze është se
ajo ka nxitur herë pas here autorë të ndryshëm, të cilët në shkrimet e tyre e
kanë trajtuar idenë se Skënderbeu mund të jetë helmuar nga fuqitë perëndimore,
të cilat kërkonin që në këtë rajon të mos kishte konflikt me osmanët. Ndërkohë
që një tezë tjetër ka qenë edhe ajo që theksonte se Heroi ra në shtrat dhe vdiq
pasi u plagos në betejë. Pavarësisht se teza të tilla janë intriguese për
publikun, ato kanë rënë për disa arsye.
Edhe logjika e
zhvillimit të ngjarjeve të kohës e kundërshton një helmim të mundshëm, jo vetëm
nga ana e Venedikut por edhe prej mbretërisë së Napolit. Por nëse ai do të
ishte helmuar sot do të kishte dalë qoftë edhe një dokument apo shënim që do ta
pohonte një gjë të tillë. Ky ishte edhe fundi i Skënderbeut. I pamposhtur
asnjëherë në fushën e betejës ai vdiq në shtrat i mposhtur prej sëmundjes së
nuk bënte diferencime midis njerëzve të thjeshtë apo heronjve. /Mapo
Comments