Na ndiqni ne Facebook

Debatet televizive: informim apo manipulim?



Debatet televizive në shoqëritë demokratike konsiderohen si një nga format më të rëndësishme të komunikimit publik. Përmes tyre, qytetarët kanë mundësinë të dëgjojnë argumente të ndryshme, të kuptojnë qëndrimet e partive politike dhe të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi opsionet që kanë para vetes. Në thelb, ky format synon edukimin qytetar dhe nxitjen e pjesëmarrjes së informuar në procesin demokratik.


Mirëpo, realiteti në Kosovë shpesh herë tregon një tablo tjetër. Në vend të diskutimeve të qeta, të mbështetura në fakte dhe analiza, ekranet tona dominohen nga përplasje personale, akuza të ndërsjella dhe përdorimi i një gjuhe shpesh vulgare. Opinionistët, të cilët pritet të luajnë rolin e analistëve të pavarur, shpesh zbulohen lehtë për anshmërinë e tyre politike. Në vend të krijimit të një hapësire të balancuar, ata kontribuojnë në thellimin e polarizimit shoqëror.


Një tjetër problem mbetet manipulimi i temave dhe fokusit të debateve. Shpesh, çështjet thelbësore të interesit publik anashkalohen, duke i lënë vend spektaklit politik dhe përfitimeve klanore. Ky lloj qasjeje jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve te mediat, por gjithashtu forcon perceptimin se politika dhe debati publik janë instrumente të përdorura për interesa të ngushta financiare e politike.


Shoqëritë e emancipuar demokratike presin nga debatet televizive transparencë, profesionalizëm dhe një nivel argumentimi që ngre standardin e diskursit publik. Kosova ka ende një rrugë për të bërë në këtë drejtim. Shpresa qëndron te rritja e vetëdijes qytetare: sa më shumë të kërkojnë qytetarët debat cilësor, aq më shumë do të detyrohen edhe mediat dhe opinionistët të ndryshojnë qasje.



Comments