Na ndiqni ne Facebook

Revolucioni i semaforëve: Ngjyra e katërt, e bardhë, mund të drejtojë trafikun e së ardhmes

Shkencëtarët kanë propozuar një ide të re që mund të ndryshojë mënyrën se si funksionon trafiku: shtimin e një drite të katërt në semafor – ngjyrën e bardhë. Qëllimi është të përmirësohet rrjedhja e trafikut, sidomos kur në rrugë do të ketë gjithnjë e më shumë automjete autonome (pa shofer).


Një ngjyrë e re për semaforët

Semaforët janë pjesë e pandashme e qarkullimit rrugor prej gati një shekulli. Megjithatë, me zhvillimin e teknologjisë, ata po ndryshojnë. Disa qytete në Gjermani, si Hamm dhe Essenbach, tashmë po testojnë semaforë inteligjentë me inteligjencë artificiale. Ndërkohë, studiues nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut (North Carolina State University) kanë propozuar një revolucion të vërtetë: shtimin e një faze të katërt – dritën e bardhë.

Kjo dritë do të ndizet kur në një kryqëzim ndodhen disa automjete autonome. Në atë moment, veturat do të komunikojnë mes tyre për të vendosur se kush duhet të kalojë dhe kush të ndalojë. Ndërsa shoferët e zakonshëm (njerëzit) do të duhet vetëm të ndjekin automjetin para tyre – nëse ai ndalon, ndalojnë edhe ata; nëse ecën, ecin edhe ata.
 
Si funksionon ideja?

Sistemi bazohet në komunikimin pa tela midis automjeteve dhe semaforit  (ngjashëm sikur Wi-Fi). Kur semafori zbulon një numër të mjaftueshëm makinash autonome, ai kalon në dritën e bardhë. Kjo tregon se kontrollin e trafikut e marrin përsipër vetë makinat përmes shkëmbimit të vazhdueshëm të të dhënave për shpejtësinë, pozicionin dhe drejtimin e tyre.

Ky parim quhet “Mobile Control Paradigm”, që do të thotë se vetë automjetet përdorin fuqinë e tyre kompjuterike për të menaxhuar trafikun në mënyrë të decentralizuar. Kështu, ato veprojnë si një sistem inteligjent që rregullon lëvizjen në kohë reale.
Rezultatet e para: më pak vonesa dhe më shumë rrjedhshmëri

Sipas simulimeve kompjuterike të kryera nga studiuesit, rezultatet janë premtuese:

  • Me vetëm 10% automjete autonome, vonesat në trafik ulen me 3%.
  • Me 30% automjete autonome, përmirësimi arrin deri në 10,7%.

Kjo tregon se edhe një pjesë e vogël e makinave pa shofer mund të përmirësojë ndjeshëm rrjedhën e trafikut dhe të ulë konsumimin e karburantit e ndotjen.
 
Testet e para dhe sfidat

Studiuesit planifikojnë që testet e para të zhvillohen në zona të kontrolluara, ku tashmë qarkullojnë makina autonome – për shembull, në porte apo terminale industriale, ku ka shumë lëvizje automjetesh, por pak këmbësorë.

Ngjyra e bardhë është zgjedhur sepse shihet lehtësisht dhe kontraston mirë me të kuqen, të verdhën dhe të gjelbrën, por në teori mund të përdoret edhe ndonjë ngjyrë tjetër që është po aq e dukshme.
 
Zbatimi praktik: ende larg

Edhe pse ideja është teknologjikisht e mundur, zbatimi i saj në rrugët publike do të kërkojë vite. Do të duhen ndryshime në rregullat e trafikut, standardet ndërkombëtare dhe trajnimi i shoferëve.

Megjithatë, nëse zbatohet me sukses, kjo risi do të sillte:

  • më pak bllokime trafiku,
  • më pak konsum karburanti,
  • më pak ndotje, dhe 
  • një sistem shumë më të sigurt e efikas.

Ekspertët parashikojnë se një zbatim i gjerë i këtij sistemi mund të bëhet realitet në vitet 2030, kur automjetet autonome të jenë bërë më të zakonshme në rrugët tona.

Comments