Bullgaria i bashkohet Eurozonës më 1 janar 2026: Euro i ri dhe monedha bullgare në qarkullim
Nga 1 janari 2026, Bullgaria do të bëhet zyrtarisht anëtarja e 21-të e Eurozonës. Me këtë hap historik, euroja do të jetë valuta zyrtare e vendit, ndërsa për herë të parë do të hyjnë në qarkullim edhe monedhat euro me dizajn bullgar.
Kursi i këmbimit mes monedhës kombëtare bullgare, levës, dhe euros është fiksuar në 1 euro = 1,95583 leva, një kurs i njohur tashmë prej vitesh nga mekanizmi i kursit të këmbimit.
Monedha të reja, por konfuzion i mundshëm
Me anëtarësimin në Eurozonë, Bullgaria do të hedhë në qarkullim si monedha ashtu edhe bankënota euro. Megjithatë, këto monedha të reja kanë shkaktuar edhe konfuzion, pasi monedhat aktuale të levës bullgare janë shumë të ngjashme me monedhat euro për nga madhësia, pesha dhe dizajni, përfshirë edhe strukturën bimetalike.
Kjo ngjashmëri pritet të krijojë vështirësi sidomos në fazën e parë të tranzicionit, kur qytetarët dhe turistët do të duhet të tregojnë më shumë kujdes në përdorimin e parasë cash.
Një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian
Anëtarësimi në Eurozonë përfaqëson një tjetër hap të madh të Bullgarisë drejt integrimit të plotë ekonomik dhe financiar në Bashkimin Europian. Euroja, e cila sot përdoret nga 20 shtete anëtare të BE-së, është valuta e dytë më e rëndësishme rezervë në botë, pas dollarit amerikan.
Historia e euros: nga ideja te realiteti
Ideja për një monedhë të përbashkët europiane lindi rreth viteve 1970, me synimin për të krijuar një union monetar deri në vitin 1980. Megjithatë, kriza e naftës dhe periudha e stagflacionit (stagnim ekonomik i shoqëruar me inflacion) bënë që shumë vende të tërhiqeshin nga projekti deri në vitin 1978.
Procesi rifilloi në mënyrë të strukturuar në vitin 1990. Më 1 korrik të atij viti u vendos faza e parë e Unionit Monetar, me liberalizimin e plotë të lëvizjes së kapitalit. Faza e dytë nisi më 1 janar 1994, me krijimin e Institutit Monetar Europian, pararendës i Bankës Qendrore Europiane (BQE).
Faza përfundimtare u arrit më 1 janar 1999, me themelimin e BQE-së dhe fiksimin e kurseve të këmbimit të monedhave kombëtare. Euroja u fut fillimisht si monedhë llogaritëse (pa para cash), ndërsa nga 1 janari 2002 u bë realitet edhe në formë banknotash dhe monedhash.
Sot, euroja është jo vetëm një mjet pagese, por edhe një simbol i integrimit europian, shpesh i konsideruar si “sinonim i Europës”.
Me hyrjen e Bullgarisë në Eurozonë, ky projekt europian vazhdon të zgjerohet, duke forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin financiar në kontinent.

Comments