Na ndiqni ne Facebook

LDK pas zgjedhjeve: Dështimi i reformës dhe fundi i një shprese


Kur Lumir Abdixhiku erdhi në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga një pjesë e madhe e qytetarëve dhe anëtarësisë u perceptua si figurë e qëlluar – një shpresë e re për reforma, modernizim dhe rikthim të lavdisë së një partie që historikisht kishte qenë shtyllë e shtetndërtimit të Kosovës. Pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe krizës së thellë identitare, LDK kishte nevojë për një fytyrë të re dhe një qasje ndryshe. Lumiri dukej se i mishëronte këto pritje.


Me ardhjen e tij, në parti filluan disa ndryshime që u quajtën “reforma”. Kryesisht ato u reflektuan në anashkalimin e disa figurave tradicionale të LDK-së, të cilat, ndonëse kishin mbështetje reale brenda strukturave partiake, nga një pjesë tjetër e opinionit konsideroheshin si barrë e së kaluarës dhe si faktorë të stagnimit politik. Ky veprim u interpretua si guxim politik dhe si përpjekje për shkëputje nga mentalitetet e vjetra.


Megjithatë, prurjet e reja që pasuan – ndonëse në shumë raste ishin kualitative në aspektin profesional – nuk sollën mendim të ri politik. Në thelb, ato vazhduan të njëjtin mentalitet që ishte anashkaluar, vetëm se me një retorikë më të butë dhe më moderne. Ndryshimi mbeti më shumë në formë sesa në përmbajtje.


Zgjedhjet e fundit e vulosën këtë realitet. Politika e ashtuquajtur “e reformuar” e Lumir Abdixhikut dështoi të prodhojë rezultat elektoral. Me këtë dështim, u shua edhe shpresa për rimëkëmbjen e shpejtë të LDK-së si alternativë serioze qeverisëse. Thirrjet e vazhdueshme për Rugovizëm, sado të respektueshme historikisht, nuk ofrojnë më avantazh real tek gjeneratat e reja të votuesve, të cilët kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet e sotme dhe vizion për të ardhmen.


LDK sot ndodhet përballë një momenti kritik. Koha për justifikime ka kaluar. Ajo që kërkohet tani është reflektim i thellë dhe i dhimbshëm. Duhet një analizë serioze e shkaqeve dhe pasojave të këtij debakli elektoral, pa tabu dhe pa arsyetime artificiale. Përgjegjësia duhet të ndahet, por ajo fillon nga lart.


Lumir Abdixhiku, si kryetar i partisë, mban barrën kryesore të këtij dështimi. Dorëheqja e tij – ose të paktën shkarkimi i mendësisë aktuale drejtuese – nuk duhet parë si akt hakmarrjeje politike, por si domosdoshmëri për hapjen e një kapitulli të ri. Vetëm përmes një rishikimi rrënjësor të drejtimit politik, LDK mund të shpresojë të ringrihet dhe të rifitojë besimin e humbur të qytetarëve.


 /Xh.Selmani/

Comments