Tabelë metalike apo dritë semafori? Një dallim që me shigjetën e gjelbër mund t’ju kushtojë shtrenjtë
Në shumë kryqëzime në Gjermani, një tabelë e vogël me shigjetë të gjelbër shkakton shpesh keqkuptime – dhe gjoba të konsiderueshme. Shigjeta e gjelbër, një shigjetë që tregon djathtas mbi sfond të zi, ngatërrohet prej shumë drejtuesve me dritën e gjelbër të semaforit. Ky keqinterpretim i zakonshëm mund të rezultojë shpejt në shkelje të kushtueshme.
Ndryshe nga drita e gjelbër në semafor, e cila lejon kalimin e lirë, tabela e shigjetës së gjelbër ka rregulla krejt të tjera. Sipas nenit 37 të Rregullores së Qarkullimit Rrugor (StVO), tabela lejon kthimin djathtas edhe në semafor të kuq, por vetëm nën kushte strikte. Shoferët duhet të ndalojnë plotësisht tek vija e ndalimit – rekomandohet të paktën tre sekonda ndalesë. Vetëm pas këtij ndalimi lejohet të hyhet me kujdes në kryqëzim dhe të kthehet djathtas. Klubi i Automobilistëve ACE madje rekomandon një ndalesë të dytë në vijën e shikueshmërisë.
Keqkuptime të kushtueshme
Shumë drejtues nuk e vënë re këtë detyrim për ndalim dhe kalojnë pa u ndalur – një gabim që kushton. Sipas ADAC, kush nuk ndalon tek shenja e shigjetës së gjelbër rrezikon 70 euro gjobë dhe një pikë në Flensburg. Nëse pengohen pjesëmarrës të tjerë në trafik, gjoba mund të rritet ndjeshëm – deri në 180 euro.
S’ka detyrim për t’u kthyer
Një tjetër rregull i rëndësishëm: kthimi djathtas me shigjetë të gjelbër është i lejuar, por jo i detyrueshëm. Shoferët mund të presin edhe dritën e gjelbër të semaforit normal.
Ekziston edhe një variant i posaçëm i shenjës për biçikletat: në këtë rast, vetëm çiklistët lejohen të kthehen djathtas me semafor të kuq. Qëllimi i kësaj mase është të ulet rreziku i aksidenteve në situatat kur kamionët kthehen djathtas dhe nuk i vërejnë çiklistët.

Comments