Na ndiqni ne Facebook

Njerëzit e hershëm bënin zjarr 400.000 vjet më parë

 


Zotërimi i zjarrit ishte një hap vendimtar në evolucionin e njeriut dhe duket se kjo aftësi është zhvilluar shumë më herët nga sa mendohej deri tani. Zbulime nga Britania sugjerojnë se neandertalët e hershëm kanë ditur të ndiznin dhe të mbanin zjarrin që 400.000 vjet më parë, gjithmonë në të njëjtat vende. Deri kohët e fundit, provat më të vjetra për ndezjen e qëllimshme të zjarrit vinin nga Franca veriore dhe ishin rreth 50.000 vjeçare. Zjarri u ka mundësuar këtyre paraardhësve të mbijetonin në klima të ashpra, të gatuanin ushqime të reja dhe ndoshta ka luajtur rol kyç në forcimin e lidhjeve shoqërore dhe zhvillimin e gjuhës.


Që më shumë se një milion vjet më parë, paraardhësit tanë në Afrikë përdornin zjarr të krijuar natyrshëm, zakonisht nga rrufeja. “Përdorimi i zjarrit është zhvilluar përgjatë një periudhe prej rreth një milion vjetësh, duke filluar nga shfrytëzimi i zjarrit natyror, më pas ruajtja e tij dhe në fund zotërimi i aftësisë për ta ndezur vetë”, shpjegon ekipi i drejtuar nga Rob Davis i British Museum. Por dallimi mes zjarreve natyrore dhe atyre të krijuara qëllimisht është shumë i vështirë, gjë që e ka bërë të paqartë momentin e saktë kur njeriu filloi ta prodhonte vetë zjarrin.


Një vatër zjarri 415.000 vjeçare

Së fundmi, Davis dhe kolegët e tij zbuluan prova shumë më të hershme në vendin arkeologjik të Barnhamit në Suffolk. Aty u identifikua një zonë e djegur ku sedimenti i ngrohur tregon se zjarri është ndezur dhe ripërdorur disa herë. Pjesë të thyera prej guri zjarri, të çara nga nxehtësia, si dhe dy fragmente piriti – një mineral që përdoret për të krijuar shkëndija, mbështesin idenë se këta njerëz të hershëm jo vetëm mbanin zjarrin, por edhe e ndiznin vetë.


Analizat gjeokimike të shtresës së vjetër rreth 415.000 vjet treguan se temperatura në atë pikë ka arritur deri në 750°C, ndërsa toka përreth nuk shfaq shenja të ngjashme djegieje. Kjo tregon se bëhet fjalë për një vatër të qëllimshme, jo për zjarr nga pyjet. Fakti që piriti është i rrallë në zonë, por gjithsesi gjendet në vend, sugjeron se është sjellë aty posaçërisht për ndezjen e zjarrit.


Një pikë kthese në evolucion

Sipas studiuesve, këto gjetje tregojnë se edhe neandertalët e hershëm kuptonin dhe shfrytëzonin vetitë e piritit , një sjellje komplekse që tregon zhvillim të lartë kognitiv. “Aftësia për të prodhuar dhe kontrolluar zjarrin është një nga pikat më të rëndësishme të kthesës në historinë e njerëzimit”, thotë Davis. “Ky zbulim e zhvendos këtë moment rreth 350.000 vjet më herët sesa besohej më parë.”


Ky zhvillim përkon me periudhën kur truri i paraardhësve tanë pësoi rritje të shpejtë dhe iu afrua madhësisë së sotme. Zjarri ka mundur të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces. Njerëzit e hershëm, pasi nisën të ndiznin vetë zjarrin, arritën të pushtonin zona më të ftohta dhe të përmirësonin ndjeshëm ushqimin e tyre përmes gatimit. Kjo solli tretje më të mirë, furnizim më të pasur me lëndë ushqyese dhe, rrjedhimisht, zhvillim më të madh të trurit.


Përveç kësaj, zjarri ka qenë thelbësor për zhvillimin e teknologjive të tjera, përfshi prodhimin e ngjitësve të përdorur për vegla të ndryshme. Si pikë grumbullimi social, vatra e zjarrit mund të ketë nxitur edhe bashkëpunimin dhe zhvillimin e gjuhës.

Comments