Na ndiqni ne Facebook

Danimarka i klasifikon SHBA-të si rrezik për sigurinë kombëtare

Danimarka i klasifikon për herë të parë SHBA-të si rrezik potencial për sigurinë kombëtare


Danimarka ka ndërmarrë një hap të pazakontë në politikën e saj të sigurisë, duke përfshirë për herë të parë Shtetet e Bashkuara në listën e rreziqeve të mundshme për sigurinë kombëtare dhe atë evropiane. Ky vlerësim vjen nga Shërbimi Ushtarak i Inteligjencës Daneze (FE), në raportin vjetor të kërcënimeve të publikuar më 10 dhjetor.

Sipas raportit, fuqitë e mëdha globale po veprojnë gjithnjë e më shumë mbi bazën e interesave të tyre të ngushta kombëtare dhe janë të gatshme të përdorin mjete ekonomike apo ushtarake për t’i realizuar ato edhe ndaj vendeve që tradicionalisht konsiderohen aleate. Përveç Rusisë dhe Kinës, raporti përmend në mënyrë të pazakontë edhe SHBA-të nën presidencën e Donald Trumpit.

Shërbimi danez i inteligjencës shpreh shqetësim të veçantë për pasigurinë në rritje rreth rolit të Shteteve të Bashkuara si garant i sigurisë evropiane. Sipas raportit, Uashingtoni po përdor gjithnjë e më shpesh presion ekonomik, përfshirë kërcënime me tarifa të larta doganore, dhe nuk e përjashton më përdorimin e mjeteve ushtarake edhe ndaj partnerëve.

Ambasada amerikane në Kopenhagë i ka referuar pyetjet lidhur me raportin Departamentit të Shtetit në Uashington, i cili nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar.

Marrëdhëniet mes Danimarkës dhe SHBA-ve janë tensionuar prej kohësh, veçanërisht për shkak të interesit të Presidentit Trump për Groenlandën,  ishullin strategjik dhe të pasur me burime natyrore, që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Po ashtu, Danimarka bën pjesë në grupin e vendeve evropiane që kundërshtojnë një plan paqeje për Ukrainën të mbështetur nga SHBA-të, duke argumentuar se ai i bën lëshime thelbësore Rusisë.

Raporti thekson se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet faktori kryesor që përcakton sigurinë evropiane. Sipas vlerësimit danez, kërcënimi ushtarak nga Rusia ndaj NATO-s pritet të rritet në vitin 2026, megjithatë aktualisht nuk shihet një rrezik i menjëhershëm për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Danimarkës.

Historikisht, Danimarka ka qenë një nga aleatët më të ngushtë evropianë të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se vendi po ndjek gjithnjë e më shumë një linjë të pavarur në politikën e sigurisë. Debatet mbi Groenlandën, Ukrainën dhe rolin e NATO-s pasqyrojnë ndryshimet e thella në marrëdhëniet transatlantike.

Për shtete të vogla si Danimarka, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pyetja se sa të besueshme do të jenë garancitë e sigurisë në të ardhmen dhe në çfarë mase Evropa duhet të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse në mënyrë të pavarur.



Comments