Lidhja Demokratike e Kosovës po hyn në një nga momentet më delikate të saj politike, teksa Kuvendi i përgjithshëm i partisë, i caktuar për 31 janar 2026, pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të kësaj force politike. Në qendër të vëmendjes janë dorëheqja e ofruar e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatura e shpallur e Avdullah Hotit për të udhëhequr LDK-në.
Avdullah Hoti ka bërë të ditur publikisht se në Kuvendin e LDK-së do të kërkojë besimin e delegatëve për t’i prirë partisë, duke e parë këtë moment si një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri politik. Kandidatura e tij vjen në një kohë kur brenda LDK-së po zhvillohen diskutime të shumta mbi mënyrën se si duhet të procedohet pas dorëheqjes së Abdixhikut.
Në rendin e ditës së Kuvendit parashihet miratimi ose refuzimi i dorëheqjes së kryetarit aktual. Nëse ajo aprovohet, do të hapen disa skenarë të mundshëm: një pjesë e anëtarësisë dhe e strukturave partiake mendojnë se kryetari i ri duhet të zgjidhet “aty për aty” në Kuvend, ndërsa zëra të tjerë brenda partisë po kërkojnë zgjedhje të përgjithshme partiake, si parakusht për zgjedhjen e një udhëheqjeje të re legjitime.
Ky debat nuk është i ri për LDK-në. Që nga i ashtuquajturi Kuvendi i “karrigave”, frika nga eskalimi i tensioneve të brendshme ka qenë gjithmonë e pranishme sa herë që partia ka hyrë në procese të rëndësishme vendimmarrëse. Edhe pse LDK konsiderohet tradicionalisht si një parti me demokraci të brendshme të konsoliduar, historia ka treguar se Kuvendet e saj rrallëherë kanë kaluar pa debate të ashpra dhe përplasje politike.
Kuvendi i 31 janarit shihet, për rrjedhojë, si një test i madh për pjekurinë politike të LDK-së dhe për aftësinë e saj për të menaxhuar dallimet e brendshme pa cenuar unitetin partiak. Vendimet që do të merren aty pritet të kenë ndikim jo vetëm në strukturën e brendshme të partisë, por edhe në rolin e saj të ardhshëm në skenën politike të Kosovës.
Nëse LDK do të arrijë ta shndërrojë këtë moment në një proces demokratik stabilizues apo do të përballet me përçarje të reja, mbetet të shihet më 31 janar. Një gjë është e sigurt: ky Kuvend do të jetë ndër më të nxehtët dhe më vendimtarët në historinë e fundit të partisë.
/xh.selmani/

Comments