Na ndiqni ne Facebook

Vendet me rezervat më të mëdha të arit në botë

Ari mbetet një nga asetet më të kërkuara në botë – jo vetëm nga investitorët privatë, por edhe nga shtetet. Por cilat vende kanë aktualisht rezervat më të mëdha të arit? Ky renditje e tregon qartë situatën globale.



Tradicionalisht, ari konsiderohet një “strehë e sigurt” në kohë krizash. Megjithatë, zhvillimet e fundit gjeopolitike, si përshkallëzimi i konfliktit me Iranin, treguan se edhe çmimi i arit mund të luhatet ndjeshëm. Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, çmimi i arit ka rënë me mbi 18%. Pas një rekordi prej rreth 5600 dollarësh në fund të janarit, aktualisht ai qëndron në rreth 4530 dollarë. 

Në krye të listës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara, të cilat jo vetëm kanë rezervat më të mëdha të arit në botë, por edhe qyteti i Nju Jorkut është një nga qendrat kryesore globale të tregtimit të arit, krahas Londrës. Të dhënat më të fundit mbi rezervat shtetërore të arit i përkasin tremujorit të tretë të vitit 2025 dhe janë publikuar nga World Gold Council (WGC).

 

10 vendet me rezervat më të mëdha të arit

 

10. Holanda – 612,45 tonë

Holanda mban qindra ton ar. Rreth 30% ruhet brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër depozitohet në SHBA, Kanada dhe Britani të Madhe.

 9. Japonia – 845,97 tonë

Rezervat e Japonisë kanë mbetur të qëndrueshme prej vitesh dhe shërbejnë si mbrojtje ndaj luhatjeve monetare.

8. India – 880,17 tonë

India rrit gradualisht rezervat e saj të arit, duke u përpjekur të reduktojë varësinë nga dollari amerikan.

7. Zvicra – 1039,94 tonë

Pas shitjeve të mëdha në fillim të viteve 2000, rezervat janë stabilizuar. Për frymë, Zvicra ka ndër rezervat më të mëdha në botë.

6. Kina – 2303,51 tonë

Kina vazhdon të rrisë rezervat e arit për të forcuar pavarësinë ekonomike nga dollari.

 5. Rusia – 2329,63 tonë

Për Rusinë, ari është një instrument strategjik për të shmangur ndikimin e sistemeve financiare perëndimore.

 4. Franca – 2437,00 tonë

Franca ndjek një politikë konservatore dhe ruan rezervat pa ndërhyrje të mëdha në treg.

3. Italia – 2451,84 tonë

Italia ka rezervën e tretë më të madhe në botë dhe zakonisht ndjek një strategji të qëndrueshme ruajtjeje.

 2. Gjermania – 3350,25 tonë

Gjermania mban vendin e dytë globalisht. Ari përbën një pjesë të madhe të rezervave të saj valutore. 

1. SHBA – 8133,46 tonë

Shtetet e Bashkuara kanë rezervat më të mëdha në botë. Një pjesë e madhe ruhet në Fort Knox dhe në rezervat e Nju Jorkut.

 

 Pse shtetet mbajnë ar?

 Ari vazhdon të jetë një aset strategjik për bankat qendrore. Kur një valutë dobësohet, shtetet shpesh rrisin rezervat e arit për të mbrojtur ekonominë e tyre.

 Disa vende, si Turqia, kanë rritur ndjeshëm blerjet e arit në vitet e fundit për shkak të dobësimit të monedhës së tyre.

 Bankat qendrore mund të investojnë në ar në forma të ndryshme – fizikisht (kryesisht në shufra 400-onshe), përmes ETF-ve apo instrumenteve financiare. Shpesh, rezervat nuk ruhen vetëm në vendin përkatës, por edhe në qendra financiare ndërkombëtare si Londra dhe Nju Jorku.

 Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, ari mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë financiare për shtetet.

Comments