Në vitet e para pas çlirimit të Kosovës, Parlamenti i Kosovës përfaqësonte një institucion me peshë morale dhe intelektuale. Deputetët e asaj kohe, ndonëse shpesh votonin me konsensus dhe pa përplasje të mëdha politike, bartnin mbi vete autoritetin e dijes, përvojës dhe kontributit kombëtar. Në ulëset e Kuvendit kishte profesorë universiteti, doktorë shkencash, intelektualë dhe figura që kishin lënë gjurmë në Universitetin e Prishtinës, në arsimin dhe shkencën shqiptare në përgjithësi. Ata mund të kishin dallime politike, por ekzistonte një minimum kulture shtetformuese dhe respekti ndaj institucionit.
Sot, fatkeqësisht, realiteti është krejt tjetër.
Pozita e deputetit ka pësuar një degradim alarmant. Parlamenti, që dikur shihej si tempull i përfaqësimit qytetar, është shndërruar në një skenë ku shpesh dominojnë mediokriteti, servilizmi dhe interesat klanore. Kandidimi për deputet nuk lidhet më me dijen, integritetin apo kontributin ndaj shtetit, por me lidhjet me kryetarin e partisë, me fuqinë financiare apo me famën mediatike.
Në listat zgjedhore sot gjen gjithçka: militantë të verbër, njerëz pa formim bazik politik, individë që mezi artikulojnë një fjali publike, këngëtarë, aktorë e figura estrade që trajtojnë parlamentin si vazhdim të skenës së spektaklit. Nuk është problem profesioni i tyre; problem është mungesa e kapacitetit dhe seriozitetit për të ushtruar funksionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
Parlamenti nuk është teatër. Nuk është studio televizive. Nuk është as vend për duartrokitje ndaj liderit partiak. Është institucion ku duhet të hartohen ligje, të mbikëqyret qeveria dhe të mbrohen interesat e shtetit. Por, në praktikë, Kuvendi i Kosovës prej vitesh është kthyer në teatër amatorësh të politikave klanore, ku debatet shpesh janë të zbrazëta, primitive ose të dirigjuara nga prapaskena.
Një tjetër plagë e madhe është shndërrimi i mandatit të deputetit në profesion fitimprurës. Në vend se të shihet si përgjegjësi publike, mandati perceptohet si mundësi për pasurim dhe depërtim në rrjete të interesit ekonomik. Për këtë arsye, shumë kandidatë investojnë shuma të mëdha gjatë fushatave zgjedhore, jo për ideal apo vizion politik, por si investim që duhet t’u kthehet shumëfish pas zgjedhjes. Deputeti nuk shihet më si shërbëtor i qytetarit, por si derë hyrëse drejt privilegjeve, tenderëve dhe ndikimit financiar.
Në këtë ambient, intelektualët e mirëfilltë po largohen gjithnjë e më shumë nga politika. Shumë prej tyre nuk pranojnë të bëhen vegla të individëve që kontrollojnë partitë politike si prona private. Ata nuk duan të jenë numra në lista, as kukulla që votojnë sipas urdhrave të kryetarëve. Dhe pikërisht mungesa e tyre po krijon vakumin që po mbushet nga mediokriteti politik.
Sot kemi deputetë që lexojnë me vështirësi fjalimet e përgatitura nga të tjerët, deputetë që nuk kanë as guximin minimal për të menduar ndryshe nga lideri partiak dhe deputetë që votojnë mekanikisht sipas direktivave të prapaskenës. Kjo nuk është demokraci funksionale. Kjo është degradim i përfaqësimit qytetar.
Kosova nuk mund të ndërtojë shtet serioz me institucione të mbushura me njerëz që e shohin politikën si biznes personal apo si skenë për protagonizëm. Një parlament i dobët prodhon shtet të dobët. Dhe kur deputeti humb dinjitetin, humb edhe vetë qytetari besimin tek demokracia.
Prandaj, rikthimi i dinjitetit të pozitës së deputetit duhet të bëhet domosdoshmëri kombëtare. Partitë politike duhet të hapen ndaj njerëzve me integritet, dije dhe profesionalizëm, ndërsa qytetarët duhet të ndëshkojnë me votë degradimin e institucioneve. Përndryshe, Kuvendi do të vazhdojë të mbetet arenë e militantizmit dhe interesave personale, e jo shtëpi e mendimit shtetëror dhe interesit publik.
/xh.selmani/

Comments