Na ndiqni ne Facebook

Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës!

DEFETISTËT DHE KUAZIPATRIOTËT FACEBOOK-istë SHQIPTARË

Kiev sot 
Numër i konsiderueshëm televizionesh e portale kosovaro-shqiptare, me gazetarë, analistë, opinionistë, të financuar nga duar të fshehura të agjenturave ruso-serbe, por, të duartrokitur nga ndonjë matrapaz politikani të atdheut tonë,  agresionin ushtarak rus e kualifikojnë jo agresion por pushtim të Ukrainës!

 Ndërsa, "gardianët e patriotizmit" shqiptar, e arsyetojnë agresionin rus mbi Ukrainën, me justifikimin se Ukraina ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe ka ndihmuar ushtarakisht maqedonët kundër shqiptarëve në luftën e vitit 2001 në Maqedoni.

 Është e vërtetë e pamohueshme që, Ukraina ka ndihmuar Maqedoninë në luftë kundër shqiptarëve, gjithashtu në kontinuitet është pozicionuar kundër pavarësisë së Kosovës, por, aktualisht, ndodhemi para një situate të re. Me intervenimin ushtarak rus në Ukrainë, konstelacioni gjeopolitik dhe gjeostrategjik ndryshon, prandaj, Kosova dhe Shqipëria me aleatët perëndimorë rreshtohen në anën e Ukrainës kundër neosovjetizmit rusomadh të oligarkut autokrat Vladimir Putin.

 Rusia, ka nisur agresionin ushtarak kundër Ukrainës, por ende nuk ka arritur ta pushtojë, sepse forcat e armatosura të Ukrainës po rezistojnë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme armatës agresive ruse.

 Nga ky këndvështrim, defetistët shqiptarë, gabojnë me qëllim apo pa qëllim, kur me insistim mundohen të na bindin se, Rusia e ka pushtuar Ukrainën, ndërsa "patriotët e thekur", agresionin rus mbi Ukrainë e justifikojnë me luftën mes sllavëve ortodoksë.

 Lufta mes sllavëve ortodoksë, e dobëson pozitën e Rusisë, me kusht që Putini del humbës në këtë luftë të pabarabartë.

Rusia, në këtë luftë, do të nxjerr disa përfitime, por do të pësojë  edhe goditje nga të cilat do të preket edhe aleati i saj ballkanik Serbia.

 Mbetet, detyrë imediate e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej, të përafrohen dhe së bashku t'i kundërvihen Serbisë dhe idesë së saj për "botën serbe", në koordinim me shtetet e rajonit ndaj të cilave Serbia ushqen pretendime territoriale.

 Kosova dhe shqiptarët, nuk guxojnë të bien pre e defetizmit dhe inferioritetit obstruktiv, i mbjellur nga rrjetet agjenturore ortodokse sllave.

Comments