Na ndiqni ne Facebook

MESKINITETI DHE NIHILIZMI OPOZITAR

17 Shkurtin, Ditëlindjen e Pavarësisë së Kosovës, në mënyra të veta e festuan shqiptarët në Kosovë dhe gjithandej, shoqëruar me lumin e pafund të urimeve dedikuar kësaj feste ndër më të rëndësishmet në historinë bashkëkohore të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. 

Rrjedhimisht, bartëse e ceremonisë kryesore, kushtuar Ditës së Pavarësisë, ishin, kryesuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilat me këtë rast s'mund të injorohen, as të përbuzen, as të kontestohen nga askush, qoftë edhe opozita e frustruar me verdiktin e defaktorizuar nga sovrani. 

Çdo qytetar i Kosovës, është i lirë të gjykojë pozitivisht apo negativisht punën politike....të kryeministrit Albin Kurti, të presidentes Vjosa Osmani e të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, por, nuk mund të mohohet roli i tyre i mandatuar për të udhëhequr shtetin në kuadër të mandatit.


Largimi, në mënyrë demonstrative i deputetëve të opozitës nga Parlamenti i Kosovës, në shenjë kundërshtie ndaj ekspozesë së kryeministrit Albin Kurti, ishte treguesi më i qartë se, tri partitë opozitare, reflektojnë paaftësi kronike, të përmbahen nga inatet, xhelozia dhe ndoshta nga sindromi i frikës për shumëçka, e që po iu kthehet si bumerang, të katandisur mozomakeq në shthurrje politike-organizative, si rezultat të goditjes nga vota qytetare. 

Qytetari i Kosovës, tani më e ka lexuar "sufrancën" e opozitës se, logjika e privatësisë së shtetit, e abuzimeve e keqpërdorimeve drastike, duke i shitur si "ndërmarrje patriotike" ka humbur terren. 

Opozita e manipuluar nga segmente të Partisë Demokratike, paraprakisht, kishte paralajmëruar që do ta bojkotoj ceremoninë e Festës së Pavarësisë të përgatitur nga institucionet shtetërore. OVL së UÇK-së, me direktiva të PDK-së, AAK-së, më parë u deklarua se e bojkoton ceremoninë. Këtij marifeti abuziv, iu bashkua "gjenerali i famshëm" Hisen Berisha, deputet i PDK-së, i cili përmes një shkrimi skandaloz botuar në "Epoka e Re", shpërthen në mllef të pakontrolluar kundër Qeverisë, që aludon tendencën e dënushme për kryengritje banditeske falangiste kundër Qeverisë legjitime të kryeministrit Albin Kurti. Zotni "gjenerali" H. Berisha, e krahason Qeverinë Kurti, me rrëzimin e Qeverisë së Fan Nolit nga Ahmet Zogu më 1924. 

Prokuroria e Kosovës, e ka për obligim, ta intervistojë z. Hisen Berisha, për të dhënë sqarime se me çfarë forca të brëndshme e të jashtme, mendon ta rrëzojë me forcë Qeverinë Kurti, përmes një grushtshteti të imagjinuar, verbërisht.

Comments