Na ndiqni ne Facebook

MËRGATA PATRIOTIKE SHQIPTARE (Pjesa 4)


Ibrahim Kelmendi, emër me ndikim i idealistëve shqiptarë në diasporë.

Veprimtaria e Ibrahim Kelmendit, si veprimtar politik në mërgatë, daton nga viti 1977 - 1978,  kur, nga rrethanat e kohës, ndërpreu studimet në Universitetin e Prishtinës dhe u vendos në Bochum të Gjermanisë, ku vijoi për një kohë studimet në Universitetin e Bochumit.

Edhe pse i ri, Ibrahim Kelmendi e kuptoi heret pozitën diskriminuese të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe si idealist i brumosur, filloi përpjekjet për të bërë ç'është e mundur në denoncimin e padrejtësive  dhe diskriminimin e  shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi nga regjimi titist jugosllav.

Ndërkohë, Ibrahimi, përmes kontakteve që krijoi me punëtorë tanë mërgimtarë të etur për dije e liri, formoi organizatën e parë të fshehtë patriotike në Gjermani e pagëzuar "Fronti Popullor" dhe pastaj nxorri gazetën "Bashkimi" organ i organizatës.

Me ardhjen e Jusuf Gërvallës në  Gjermani në fund të vitit 1979,  vuri kontakte bashkëpunimi me Jusufin dhe Bardhoshin, duke zgjeruar dimensionin e veprimtarisë kombëtare. Bashkëpunimi mes Ibrahimit dhe Jusufit në gazetën "Bashkimi", krijuan bazë solide për bashkëveprim të mëtutjeshëm kombëtar me taban patriotik.

Demonstratat e pranvrrës 1981 të rinisë shkollore e studentore të Kosovës, i dhanë shtytje intensive organizimit patriotik të mërgatës shqiptare, por edhe organizatave që vepronin deri atë kohë,  në bashkimin e tyre drejt një organizate unike për veprimtari më të organizuar si përgjigje imperative e situatës së ndezur politike në Kosovë pas demonstratave gjithëpopullore në atdhe mars - prill 1981.

Që nga bashkimi i organizatave në janar - shkurt 1982, sidomos pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, më 17 janar 1982, mbi shtratin e disa organizatave ekzistuese u themelua LRShJ, më vonë LPRK, LPK e deri te themelimi i UÇK-së dhe lufta e saj çlirimtare, në të gjitha këto procese organizative Ibrahim Kelmendi, ka luajtur rol kyq në këto zhvillime.

Sido që gjykohet e paragjykohet puna dhe veprimtaria kombëtare e Ibrahim Kelmendit,  roli dhe ndikimi i tij në historinë mbi 40 vjeçare të veprimtarisë patriotike të mërgatës shqiptare është dhe mbetet krucial e i padiskutueshëm.

Pas çlirimit të Kosovës më 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, nuk është kyqur në kreaturat politike në vend, por vazhdon veprimtarinë politike dhe krijuese në Gjermani me të njejtin elan e përkushtim intensiv.

(Sejdi Sopi)

Comments