Demonstratat studentore të mars - prillit 1981, në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës, me shpejtësinë rekorde u përkrahën nga klasa punëtore, populli dhe një pjesë e elitës intelektuale shqiptare.
Kërkesa e studentëve të Prishtinës, për ngritjen e krahinës së Kosovës në status repubkike e barabartë me republikat tjera federale jugosllave, nxorri në pah pozitën diskriminuese të popullit shqiptar në federatën artificiale të Jugosllavisë titiste.
Situata e krijuar, me ndërhyrjen brutale policore - ushtarake jugosllave dhe shpërthimit serbomadh kundër demonstratave gjithëpopullore, pati ndikim të jashtëzakonshëm edhe në mërgatën shqiptare në Evropën Perëndimore dhe përtejatlantike, e cila u solidarizua me lëvizjen studentore në Kosovë.
Meqë në Dyseldorf ekzistonte nga viti 1978 klubi shqiptar "Emin Duraku", Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi, inicuan organizimin dhe shtrirjen e organizimit të mërgatës sonë në Gjermani, ndërsa Kadri Zeka, Hasan Malaj , Kadri Avdullahu në Zvicër.
Krahas demonstratave solidarizuese të mërgatës me studentët dhe popullin në Kosovë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Hasan Malaj, Ibrahim Kelmendi, të përkrahur nga aktivistë të shumtë, u angazhuan në hapjen e klubeve dhe shoqatave patriotike shqiptare në qytetet e Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës e vende tjera ku punojnë shqiptarë.
Klubi "Emin Duraku"i Dyseldorfit, u bë epiqendër e organizimit atdhetar në Gjermani, ndërsa, me hapjen e klubit shqiptar "Igballe Prishtina" në Gjenevë, në verë 1981, të inicuar nga Kadri Zeka, Gjeneva dhe Zyrihu u bënë epiqendra të organizimit patriotik të mërgatës sonë. Në Bruksel u hapë klubi shqiptar "Idriz Seferi" në Byl të Zvicrës kl. "Shote Galica" me iniciativën e veprimtarit të shquar Hasan Kadriu-Presheva, pastaj në Lozanë, Zyrih e kështu me radhë anë e kënd Evropës.
Prej vitit 1981, kur zuri fill organizimi i artikuluar patriotik i mërgatës shqiptare në Evropë e deri më 1990, me shpërbërjen e federatës jugosllave, organizimi i mërgatës sonë, u shoqërua me vështirësi dhe pasoja deri fizike nga shërbime sekrete antishqiptare jugosllave. Kjo dëshmohet me vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e shumë të tjerë në vazhdimësi. /SEJDI SOPI/
Vijon....
Comments