Na ndiqni ne Facebook

ZULLUMI EKO - URBANISTIK MBI KOSOVËN

 


23 vjet më parë, Kosova u çlirua nga shovinizmi i egër gjakatar serbomadh.

  Kosova e sfilitur nga robëria shekullore, me popullin e shtypur e të përndjekur sistematikisht nga pushtues të njëpasnjëshëm, me çlirimin e saj, u sfidua nga një realitet i hidhur me dimensione të pa imagjinuara.

 Me gjithë respektin, për të arriturat kolosale gjithëzhvillimore, Kosova ka përjetuar dhe vazhdon të përballet me shkatërrimin marramendës të ambientit dhe urbanizmit anakronik.

 S'ka milimetër të tokës së dashur të Kosovës, që i ka shpëtuar dorës vrastare të njerëzve të saj, këto 23 vjet të çlirimit.

 Malet prehen e shkatërrohen si është më zi. Tokat bukëprodhuese, masovikisht janë shndërruar në kantiere pa fund të betonimeve e ndërtimeve, grumbuj inertesh kërcënues të sigurtë kancerogjenësh. Përrreth rrugëve, fushat mahnitëse dhe lumenjtë e kristaltë, janë mbuluar me plehra kundërmuese e infektive, plastika, xhama qenë të ngordhur e të gjallë endacakë dhe inerte më të rrezikshme për shëndetin njerëzor, ku njeriu s'ka ku ta vë këmbën. Qytetet dhe fshatrat e Kosovës janë bërë të pabanueshme falë degjenerimit total të ndërtimeve pa kritere, pa asnjë rregull urbanistik. Mafia ndërtimore e ka uzurpuar hë për hë gjithë territorin e vendit. E kanë shndërruar si "vend pa zot" tokën, vendin tonë të shtrenjtë.

 Qeveria dhe institucionet përgjegjëse të këtij pushteti kosovar, kanë shansin e fundit të alarmohen për krimin që i bëhet vendit tonë nga njerëzit e pandërgjegjshëm të këtij vendi të pllakosur eko - urbanistik.

 Një nga kriteret e Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në familjen e BE-së, është padiskutim,   ruajtja dhe mbrojtja e ambientit dhe urbanizmit nga masakrimi që i bëhet.

 Sa kohë të ketë Kosovë, të pambrojtur nga ndotja katastrofale dhe masakrimi urbanistik, për aq kohë, populli i Kosovës do të ngelet larg dyerëve të Bashkimit Evropian.

 Matne patriote e patriotë!

Comments