Na ndiqni ne Facebook

400 VRASJE MISTERIOZE NË VITET E PARA TË PAS LUFTËS NË KOSOVË


Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti, në emisionin "Politico" në TV kanal 10, duke folur për rastin Dick Marty dhe pasojat e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, dha një deklaratë shokuese, tronditëse për opinionin kosovar.


Z. Xhavit Haliti, tha se; kishte kërkuar që Parlamenti i Kosovës , të formonte Gjykatën Speciale vendore për hetimin e krimeve të luftës, me të cilën do të parandalohej formimi i Dhomave të Specislizuara të kësaj gjykate me seli në Hagë.


Z. Haliti, potencoi se, ka patur arsye të bollshme që, Kosova të formojë Gjykatën Speciale në vend, të hetojë dhe t'i gjykojë krimet e provuara eventuale të luftës pa përjashtim etnisë.


400 vrasje kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, prej tyre, vetëm në Pejë kanë ndodhur 200 vrasje, që të gjitha kanë mbetur të pazbuluara.


Gjithë këto vrasje, kryesisht shqiptarë, brenda një periudhe tre-katërvjeçare, në Kosovën e dalë nga lufta e përgjakur e makinerisë kriminale ushtarake-policore dhe paramilitare serbe, nuk e justifikon relativizimin e z. Xhavit Haliti se, ky numër kaq i madh vrasjesh, burimin e kanë te konfliktet e izoluara individuale, çka nuk qëndron. Shikuar realisht, në mungesë të funksionimit të organeve shtetërore dhe të gjendjes kaotike pas përfundimit të luftës, prapa këtyre vrasjeve shfaqeshin elemente të tendencës për luftë qytetare.


Shumë mirë na kujtohet kur kongresmenë e senatorë amerikanë Tom Lantosh, Eliot Engel e të tjerë, në vitet 2001, 2002...bënin thirrje tejet brengosëse: "Ndalni vrasjet mes veti, se do vie dita që nuk do të mundemi t'ju mbrojmë"!  Këto klithje dashamirëse të miqve amerikanë, kush nuk i përfilli në Kosovën tonë.


Sot Kosova, Kosova e pavarur, në rrugëtimin e shtetndërtimit, po ballafaqohet me sfidat e rënda, të gabimeve, oportunizmave dhe papërgjegjësisë politike, shtuar edhe të keqen fatale, lulëzimin masiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar të thelluara në të gjitha segmentet e jetës shoqërore e shtetërore të vendit tonë.


Në vargun e përgjegjësve të kësaj gjendje, vend të dukshëm zë edhe Xhavit Haliti.




Comments