Na ndiqni ne Facebook

Sa fiton presidenti amerikan? Biden publikon deklaratën e taksave

Presidenti amerikan Joe Biden dhe gruaja e tij Jill kanë publikuar deklaratat e tyre tatimore të vitit 2021. Kështu, të dy kanë pasur të ardhura prej 610,000 dollarë amerikanë (565,000 euro) dhe kanë paguar një total prej rreth 184,000 dollarë taksa.

 

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, zbuluan gjithashtu të ardhurat e tyre – dhe ishin më shumë se dyfishi. Çifti fitoi rreth 1.66 milionë dollarë, për të cilat ata paguan rreth 700,000 dollarë taksa.

 

New York Times shkroi se të ardhurat nga shitja e një prone dhe nga kujtimet e Harris kontribuan në të ardhurat e të dyve. Në vitin 2019, të dy kishin të ardhura totale prej gati 3.3 milionë dollarë. Harris ishte senator në atë kohë dhe Emhoff kishte një punë fitimprurëse si avokat.

 

Paraardhësi Trump refuzoi të zbulonte të ardhurat

Publikimi i deklaratave tatimore është pjesë e politikës amerikane për Presidentin dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë. Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, kishte refuzuar gjithmonë të ndiqte këtë traditë si president.

 

Trump ka qenë prej kohësh i përfshirë në procese gjyqësore rreth të dhënave të tij financiare dhe tatimore, dhe ai po bën përpjekje të mëdha dhe në mënyra të ndryshme për të parandaluar zbulimin e dokumenteve. “New York Times” raportoi në vitin 2020, në mes të fushatës zgjedhore presidenciale në atë kohë, se republikani nuk kishte paguar pothuajse asnjë taksë prej vitesh. Trump e mohoi këtë.




Comments