Na ndiqni ne Facebook

HYSNI GUCATI DHE NASIM HARADINAJ SHPALLEN FAJTORË NGA GJYKATA SPECIALE

 


Trupi gjykues i Gjykatës Speciale, të Kosovës në Hagë, shpalli fajtorë dhe dënoi me nga  4 vjet e gjysmë burg, kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së Hysni Gucati dhe zëvendësin e tij Nasim Haradinaj.

 

Bazuar në karakterin e veprave që u ngarkohen dy të dënuarve z. Gucati dhe Haradinaj, sipas ligjeve dhe kodit penal të Kosovës, kjo masë e dënimit mund të kualifikohet si dënim drakonik, i pa mbështetur në prova dhe argumente  relevante.

 

Kundër këtij vendimi të ashpër,  do të reagojë mbrojtja e të dënuarve dhe ta apeloi në shkallën e dytë  të kësaj gjykate dhe me të drejtë ta rrëzojë vendimin e shkallës së parë, si të pabazuar dhe tejet të lartë.

 

Gjykata Speciale në Hagë, edhe pse  si kategori kushtetuese e miratuar në Kuvendin e Kosovës, me funksionimin e saj arbitrar, vepron e mbyllur jashtë sistemit juridik dhe institucioneve të Kosovës.

 

Sido që perceptohet, Gjykata e njëanshme Speciale, si qëllim të fundit ka, vënien para përgjegjësisë penale liderët dhe eksponentë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën e paqëndrueshme " Ndërmarrje e përbashkët kriminale" për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit!

 

Zyrtarisht, Gjykata Speciale në Hagë, njihet si formacion juridiko-penal i Republikës së Kosovës, por që, për punën e saj  nuk i jep llogari themeluesit të saj. Të shumtën e dëshmive kundër të akuzuarve të paraburgosur në burgun e Hagës, Gj.S. i ka siguruar nga dëshmitarë të mbrojtur të dyshimtë dhe dosje të montuara nga gjykata serbe.

 

Rasti i dënimit të rëndë të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, paraqet shqetësim të natyrshëm, për fatin e të paraburgosurve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Sali Mustafa, të cilët mund të ballafaqohen me situata të vështira të gjykimit.

 

Të gjithë njerëzit dhe faktorët relevantë në Kosovë, përballë kësaj situate, detyrimisht, janë thirrur të vetëpërmbahen nga deklarata dhe retorika të gabuara, sepse, deklarimet e papërgjegjshme, vështirësojnë pozitën e të paraburgosurve me pasoja rënduese.

 

Është e pandershme dhe e patolerueshme që, me t'u publikuar vendimi i trupit gjykues të Gj. S., persona publikë e jopublikë në Kosovë, shpërthyen me deklarata të papërmbajtura, deri me linçime të pajustifikuara, të cilat japin shkas rëndimit të të akuzuarve të paraburgosur.

Për të tejkaluar situata të vështira, nevojitet urtësi, arsye pa paragjykime.

Comments