Na ndiqni ne Facebook

PSE MBAHEN NË PARABURGIM NË HAGË, LIDERËT E ISH UÇK-së



Gjykata Speciale me seli në Hagë, u themelua me pretekstin e raportit të Dick Marty-t senator i Këshillit të Evropës, në raportin e të cilit pretendohej për trafik të organeve njerëzore nga përfaqësuesit kryesorë të UÇK-së, gjatë viteve të luftës në Kosovë 1998-1999, të klasifikuara si krime lufte kundër njerëzimit.

 

Mirëpo, prokurori amerikan Williamson, në fund të hetimeve, konstatoi që në shtëpinë e verdhë në Shqipërinë Veriore, nuk u konfirmua asnjë dëshmi e pretendimeve të Dick Marty-t se në atë shtëpi ishin kryer veprime të paligjshme, heqje të organeve të të arrestuarve nga UÇK.

 

Meqë, raporti i Dick Marty-t, rezultoi pa prova të bazuara për ndjekje penale, atëherë, pse u arrestuan Hashim Thaçi e të tjerët liderë të ish UÇK-së?!

 

Aktakuza, kundër të arrestuarve u ngritën, për "ndërmarrje të përbashkët kriminale", vrasje dhe likuidime fizike të personave shumica dërmuese shqiptarë.

 

Përderisa, raporti i Dick Marty-t bie për shkak të mungesës së provave pretenduese, bëhet e qartë që, ShIK-u, ngarkohet me përgjegjësi për krime kundër njerëzimit, vrasje gjatë luftës dhe pas luftës deri në dhjetor 2000.

 

Pas çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, dy shërbime sekrete rivale funksionuan në Kosovë ShIK në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Sigurimi i Atdheut në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të dyja flirtuan me agjentë shqiptarë të shërbimeve sekrete të ish Jugosllavisë dhe Serbisë, të cilët luajtën rol dominues në veprimtarinë devijante të këtyre dy shërbimeve...Ndërsa, agjentët e Sigurimit të Atdheut, udhëtonin shpesh në Serbi me dijeninë e organizmave ndërkombëtarë të instaluar në Kosovë, agjentët inkompetente të ShIK-ut, me ish udbashët e inkorporuar , krijonin rrëmujë dhe situatë pasigurie në vend, me veprime të dukshme banale në sytë e qytetarëve.

 

Për shumë vrasje e vepra të rënda penale të qena e të paqena, agjentët naivë të ShIK-ut, krekoseshin para njerëzve si autorë të veprave të kryera edhe pse shërbimet sekrete serbe, mund të ishin autorë të shumë krimeve të cilët vepruan lirshëm në territorin e Kosovës të administruar nga KFORI dhe UNMIK-u.

 

Vetë shefi i ShIK-ut Kadri Veseli, në Parlamentin e Kosovës, në një rast ka deklaruar se, ShIK-u, dy thasë dosje sekrete i ka nxjerrë nga kabineti i ish kryeministrit serb Koshtunica, duke u mburrur me naivitetin më prepotent, për gjoja suksesin dhe aftësinë e shërbimit që e udhëhiqte, pa e menduar konotacionin e pasojave, që i shkaktonte jo vetëm vetes e rrethit të tij, por, gjithë Kosovës.

 

Shikuar nga aspekti i realitetit objektiv, rezoluta e miratuar në parlamentin e Shqipërisë, kundër raportit të Dick Martit, përveç vlerë morale, nuk ka kurrfarë peshe që ndikon në Këshillin e Evropës dhe ndryshimin e gjendjes faktike në Gjykatën Speciale, në favor të të paraburgosurve.

 

Pretendimet se,  Gjykata Speciale duhet të zhbëhet  është iluzore. Ajo do të funksionojë më gjatë se mendojnë propagandistët politiko- mediatikë, sepse kjo Gjykatë, me votat e parlamentit të Kosovës, është ingranuar kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës.

(S.S.)

Comments