Na ndiqni ne Facebook

ÇFARË PRITET NGA TAKIMI KURTI - VUÇIQ NË BRUKSEL?

 

Më 18 gusht 2022, në Bruksel, me organizimin dhe mbështetjen e BE-së, zhvillohet takimi dypalësh, kryeministri i Kosovës Albin Kurti - Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë. Ky takim zhvillohet në momentet e një klime të tensionuar, e cila buron nga retorika agresive kërcënuese e politikës serbe ndaj Kosovës.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar decidivisht që, në Bruksel shkon për të arritur zgjidhje për të pagjeturit, të zhdukurit gjatë luftës, njëkohësisht, arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë - Serbi. Meqë, nuk pritet ndonjë rezultat spektakolar, me rëndësi është që, kryeministri Kurti, t'ia bëj të qartë Vuçiqit dhe BE-së neutrale se, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, e që janë të shteruara ambiciet e kujtdo qoftë, në rikthim të çfarëdo dialogu e kompromisi, që prekë pavarësinë shtetërore, juridike e politike të Kosovës.

 

Në anën tjetër, Aleksandër Vuçiq, i vetëdijshëm që, me Albin Kurtin, s'do ta ketë të lehtë të bisedojë nga pozita e më të fortit, e të imponojë rregulla, siç ka ndodhur në bisedimet e kaluara me taktizime e shantazhe tipike shoviniste serbe. Ai (Vuçiq), në takimin me Albin Kurtin, do të përpiqet, të luaj në kartën vajtuese gjithashtu tipike serbe, se gjoja Qeveria e Kosovës me në krye Albin Kurtin, me masat e reciprocitetit, po e kërcënon ekzistencën e serbëve në Kosovë, paqen dhe stabilitetin.

 

A. Vuçiq, duke aktruar rolin e faktorit paqësues e stabilizues, do ta provojë të fitojë mbështetje nga qarqe stereotipe të hamendshme brenda strukturave të BE-së, me synim që t'i bëhet presion kryeministrit Kurti për kompromise eventuale, ku Vuçiq do ta përdorte si adut, për t'iu shmangur angazhimit konstruktiv drejt një marrëveshje për njohje reciproke të obligueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht.

 

Për efekte të retorikës propagandistike, presidenti serb Vuçiq, djallëzisht, provon të shërbehet edhe nga qarqe opozitare dhe mediatike propagandistike e nihiliste të Kosovës, të cilat e akuzojnë Albin Kurtin për bllokim të dialogut dhe mosgatishmëri të zgjidhjes komprometuese të marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, dukshëm të dëmshme për Kosovën.

 

Spektri politik i Kosovës, pozitë dhe opozitë, e kanë për detyrim nacional, për fatet e shtetit të Kosovës, të manifestojnë ndërgjegje të lartë, të mos krijojnë hapësirë fushëveprimi, ku Serbia do mund të penetrohej suksesshëm në sabotimin dhe neutralizimin e funksionimit normal të shtetit tonë.

 

Opozitarizmi i arsyeshëm konstruktiv në politikën e brendshme, nuk guxon të shndërrohet në fushatë destruktive që puqet me interesat serbe, nga e cila do të përfitonte politika antikosovë e Serbisë....!

Qëndrimi parimor i Qeverisë Kurti, pa ekuivoke duhet mbështetur me konsensus në raport me Serbinë.

(S.S.)

Comments