Rusia dhe Turqia po afrohen më shumë ekonomikisht. Presidenti turk Erdogan po pozicionohet kundër Perëndimit. Shqetësimi i tij kryesor është rizgjedhja vitin e ardhshëm.
Bashkëpunimi më i
ngushtë ekonomik midis Rusisë dhe Turqisë, i paralajmëruar nga Vladimir Putin
dhe Recep Tayyip Erdogan, po përparon. Të dy presidentët u takuan në Soçi,
Rusi, në fund të javës së kaluar. Sipas agjencisë së lajmeve financiare
"Bloomberg", pesë banka turke tani kanë filluar të prezantojnë
sistemin rus të pagesave "Mir" (shqip: "botë" dhe
"paqe").
Për çfarë kanë
rënë dakord Putin dhe Erdogan
Kjo nuk do të
thotë se bankat do të përdorin vetëm sistemin rus në të ardhmen. Në vend të
kësaj, ato u mundësojnë rusëve të transferojnë para, të paguajnë me kartë
krediti dhe të përdorin ATM në Turqi, për shembull. Sfondi: Bankat ruse janë
kryesisht të përjashtuara nga sistemi i pagesave ndërkombëtare Swift për shkak
të sanksioneve perëndimore.
Turqia, anëtare e
NATO-s, po kundërshton edhe një herë Perëndimin. Qeveria kritikon luftën ruse
të agresionit në Ukrainë, por nuk pajtohet me sanksionet e vendosura nga SHBA,
Britania e Madhe dhe BE.
Me përdorimin e
sistemit rus të pagesave, Turqia ka të ngjarë të dëshirojë të mbështesë, ndër
të tjera, turizmin, i cili është i rëndësishëm për të. Industria turke e
turizmit, e goditur nga mungesa e vizitorëve për shkak të pandemisë së koronës
në dy vitet e fundit, kishte shpresuar për një rimëkëmbje të fortë këtë vit.
Shumica e turistëve të huaj vijnë nga Rusia - vitin e kaluar rreth 4.7 milionë
rusë erdhën në Turqi. Gjermania pasoi me rreth 3 milionë turistë, e ndjekur nga
Ukraina me rreth 2 milionë vizitorë.
Erdogan ka frikë
nga humbja ne zgjedhje
Megjithatë, sulmi
ndaj Ukrainës do të thotë që më pak turistë nga Rusia vijnë në Turqi nga sa
ishte parashikuar. Në vend të shtatë milionë turistëve rusë të parashikuar në
fillim të vitit, tani priten vetëm tre milionë, tha Mehmet Isler, nënkryetar i
Shoqatës Turke të Hoteleve (Türofed) në maj.
Turqia është në
një krizë të thellë ekonomike dhe po vuan nga inflacioni i lartë. Pas nëntë
muajsh në Turqi do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Erdogan dëshiron të rizgjidhet, po lufton për mbijetesën e tij politike dhe
prandaj është i varur nga historitë e suksesit ekonomik.
Në këtë sfond,
duhet parë edhe njoftimi se Turqia - siç kërkohet nga Kremlini - do të paguajë
një pjesë të furnizimit me energji nga Rusia në rubla në të ardhmen. Vendi
mbështetet jo vetëm te turistët rusë, por edhe te importet e drithit dhe
energjisë. Vitin e kaluar, Turqia bleu rreth një të katërtën e naftës së
papërpunuar që i nevojitet dhe rreth 45 për qind të gazit natyror që i
nevojitet nga Rusia.
Ekspertët po
presin një garë të ngushtë me opozitën në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Për gati 20 vjet, Erdogan qëndroi në pushtet me partinë e tij qeverisëse
islamike konservatore, AKP - por mbi të gjitha kriza e shfrenuar e monedhës,
inflacioni dhe papunësia kanë dëmtuar popullaritetin e tij me popullatën.
Comments