Na ndiqni ne Facebook

LIRIA FETARE DHE E BESIMIT ËSHTË E GARANTUAR ME KUSHTETUTË NË KOSOVË

Në Republikën e Kosovës, liria fetare dhe e besimit, gëzon të drejtën maksimale kushtetuese dhe nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që, feja dhe besimi t'i cenohet individit apo ndonjë grupi etnik, kulturor ose fetar.

 

Në shtetin e Kosovës, liritë e bindjes, besimit fetar, shprehjes së lirë...është e pakufizuar, e garantuar me kushtetutë. Por, një duhet ta kemi të qartë të gjithë që, Kosova është e përcaktuar me kushtetutë shtet sekular dhe rrjedhimisht feja vepron e pavarur dhe e ndarë nga shteti.

 

Në aspektin funksional politik dhe gjithëshoqëror, shteti është autoritet madhor përcaktues i rregullimit të brendshëm, bazuar në kushtetutë dhe ligje të aplikueshme, të miratuara në Kuvendin e Kosovës pluralist dhe demokratik. Kosova, ligjërisht është e avancuar në realizimin e të drejtave qytetare individuale dhe kolektive. Këto të drejta realizohen në mënyrë të pacënueshme ndaj askujt.

 

Në anën tjetër, Kosova ka të drejtën e patjetërsueshme, të parandalojë dukuritë dhe tendencat e faktorëve që tejkalojnë me ambiciet për të ndërhyrë e devijuar sistemin juridik kushtetues funksional të Republikës së re të Kosovës.

 

Ne të gjithë e dimë që, Kosova, ka probleme të mëdha me kishën ortodokse serbe dhe strukturat kriminale të instrumentalizuara nga Serbia, por, është vështirë e kuptueshme, për shqiptarët shumicë të besimit islam, çka dëshirojnë të arrijnë grupe heterogjene fetare brenda kombit tonë, të cilët organizojnë peticione e forma të ndryshme të trysnive ndaj Qeverisë së Kosovës, që të futet në shkolla publike uniforma-mbulesa e vajzave që vijojnë shkollimin.

 

Çështja e bartjes së shamisë në shkolla nga vajzat besimtare të devotshme myslimane, nuk do duhej të lejohet deri në moshën 18 vjet të adoleshenteve, për shkakun se, ende, në vendin tonë, në rrethe të caktuara rurale por edhe urbane ekzistojnë gjurmë të jetës patriarkale, fëmijët e familjeve të cilave, pa dëshirën dhe bindjet e tyre detyrohen të bartin shami apo uniforma, mbulesa të karakterit fetar.

 

Kosova e vogël, nuk mund dhe nuk duhet të bëhet arenë e përhershme e imponimeve dhe të ndërhyrjeve të rrymave ideologjike e sektare fetare të importuara ngado, me ndikime e influenca negative për shoqërinë tonë, foshnjë e demokracisë dhe lirisë së gjithanshme.

(S.S.)

 

Comments

Unknown said…
Rreziku me i madh qe Kosoves momemtalisht i kanosetjane hoxholaret te cilet shkojnë ne Arabi mësojn kuranin permendesh nuk Ju lejohet të bëjn asnji pyetje dhe kthehen në Kosovë dhe predikojn mbrapambeturi.