Na ndiqni ne Facebook

70,000 vjet më parë, njerëzimi pothuajse u zhduk

Një studim i ri zbulon një nga kapitujt më dramatikë në historinë njerëzore: për shkak të kushteve ekstreme klimatike, njerëzimi pothuajse u zhduk rreth 70,000 vjet më parë. Popullsia u tkurr në vetëm 2,000 njerëz që jetonin së bashku në grupe të vogla.

Sipas studimit gjenetik të botuar në American Journal of Human Genetics, rreth 70,000 vjet më parë kishte vetëm rreth 2,000 njerëz që jetonin së bashku në grupe të izoluara dhe të vogla.

 

Kjo ishte e para që shqyrtoi zhvillimin e njerëzve që nga “Eva Mitokondriale”, një grua që jetoi 200 mijë vjet më parë, nga ADN-ja e së cilës thuhet se ka dalë ajo e njerëzve të sotëm, deri në kohën e emigrimit të parë nga kontinenti afrikan.

 

Afrika Lindore vuajti nga periudha ekstreme të thatësirës midis 135,000 dhe 90,000 vjet më parë. Klima ekstreme ka bërë që njerëzit të ndahen në grupe të vogla dhe të izoluara, thanë Doron Behar, një studiues në Qendrën Mjekësore të Izraelit Rambam dhe Saharon Rosset i Qendrës Shkencore IBM në Nju Jork, dy autorët kryesorë të studimit.

 

Si rezultat, numri i njerëzve ra "pothuajse në zhdukjen e tyre" në periudhën që pasoi. Vetëm rreth 40,000 vjet më parë njerëzit në kontinentin afrikan u bashkuan dhe u bënë pjesë e një popullsie të integruar pan-afrikane që shkoi prej andej në të gjitha anët e botës.

 

“Studimi demonstron fuqinë e gjenetikës për të zbuluar ngjarje kyçe në historinë njerëzore”, tha Spencer Wells nga National Geographic Society, e cila bashkëfinancoi studimin.

 

"Një dramë e vërtetë heroike që është shkruar në ADN-në tonë," tha Wells, duke iu referuar njerëzimit që fillimisht u kërcënua me zhdukje dhe përfundimisht populloi të gjithë botën. Rreth 6.6 miliardë njerëz jetojnë sot në tokë.


Comments