Na ndiqni ne Facebook

JEHONA E SAMITIT TË BE-së ME BALLKANIN PERËNDIMOR NË BERLIN

Samiti i Bashkimit Evropian me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Berlin në fillim të nëntorit 2022, i udhëhequr nga kancelari federal gjerman Olaf Scholz, sërish nxori në pah dëshirën e sforcuar të Gjermanisë dhe të BE-së, për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evroperëndimore.

 

Tri marrëveshjet e nënshkruara, në funksion të tregut të përbashkët rajonal, për lëvizjen e lirë në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, si dhe të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, është sinjal i qartë që, procesi i Berlinit, i shuan ambiciet e Serbisë për idenë fiktive  "Ballkani i Hapur".

 

Efektet e procesit të Berlinit, nuk do të ishin të mjaftueshme, përderisa Kosova të vazhdojë të mbetet e izoluar nga BE, për shkak të mos liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit tonë.

 

Në kuadër të procesit të Berlinit, Gjermania dhe BE, angazhohen që, me iniciativa, projekte dhe investime t'i përafrojë vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së dhe të pengojë synimet e Rusisë putiniane për ndërhyrje dhe dominim në Ballkan, sidomos neutralizimin e mikes ruse të Serbisë e cila fshehtas e hapur autokrati Vuçiq flirton me autokratin luftënxitës rus Vladimir Putin.

 

Në kuadër të kësaj gjeopolitike, Qeveria e Kosovës dhe personalisht kryeministri Albin Kurti, do të angazhohen të forcojnë pozitën e shtetit të Kosovës në këtë konstelacion gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

 

Presidenti autokrat nacionalshovinist serb A. Vuçiq, i interesuar t'i ruaj lidhjet e fuqishme me Putinin dhe të sabotojë afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, aktron lojën e rrezikshme me kërcënime ushtarake ndaj Kosovës, duke nxitur konflikt në Kosovën Veriore, me shkas, çështjen e konvertimit të targave ilegale serbe në targa legale të Republikës së Kosovës.

 

Qeveria e Kosovës, në radhë të parë e ka për detyrë, të sigurojë stabilitet ekofinanciar, zhvillim ekonomik, sundim të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike, që të mos i lehet hapësirë burokracisë së BE-së të gjej motive e arsye për zvarritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët.(S.S.)

Comments