Na ndiqni ne Facebook

JO, ASOCIACION MONOETNIK SERB NË KOSOVË!

 


Nuk mund të lejohet me asnjë çmim krijimi i asociacionit njëetnik serb në Kosovë, sepse një krijesë e tillë do të thotë zhbërje e shtetit tonë. Këtë ambicie ogurzezë të Serbisë, Kosova nuk guxon ta lejojë edhe me çmimin e sakrificës së lartë. Përndryshe Kosova do të shpërbëhet si shtet. Partnerët tanë evroamerikanë, duhet domosdoshmërish ta kuptojnë që, Serbia, përmes asociacionit një etnik serb, synon ta eliminojë shtetin e Kosovës, ta bëjë të paqenë.

 

Partitë politike opozitare, shoqëria civile dhe klanet e propagandës mediatike të Kosovës, duhet urgjentisht të heqin dorë nga ambiciet e sëmura dhe të rreshtohen në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Në Serbi pozita dhe opozita janë unikë kur është në pyetje Kosova, ndërsa në Kosovë opozita, me servilizmin poshtërues, pa pikë dinjiteti iu kërkon diplomatëve perëndimorë, na ndihmoni të kapim pushtetin dhe asociacionin e bëjmë pa kushte.  Këto sjellje të dënueshme të opozitës kosovare, nxisin apetitet agresive dhe shpresat e Serbisë hegjemoniste për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe me të cilin merr fund ekzistenca e shtetit të Kosovës.

 

Populli i Kosovës dhe aleatët tanë evroamerikanë kanë investuar aq shumë në shtetndërtimin e Kosovës saqë, nuk do mund të toleronte zhbërjen e shtetit tonë me pranimin e një asociacioni etnik serb si thikë pas shpine pavarësisë së Kosovës.

 

Krejt llumi opozitar serb është bashkuar rreth kriminelit fashisoid Aleksandar Vuçiq kundër Kosovës, andaj opozita dhe klanet propagandistike rreth saj, sa më parë të distancohen nga synimi serb për themelimin e asociacionit dhe të bashkohen pozitë e opozitë në mbrojtje të shtetit integral të vendit tonë.

Asociacioni njëetnik nuk duhet të kalojë. Kosova duhet të mbrohet edhe me çmimin e vetëmbrojtjes kolektive.

(S.S.)

Comments