Na ndiqni ne Facebook

MËRGATA PATRIOTIKE SHQIPTARE (Pjesa 8)

DRENUSHA DHE DRILON GASHI (MOTËR E VËLLA) AVOKATË NË KONFEDERATËN HELVETIKE NË GJENEVË 

Sami Gashi, i njohur me nofkën Malësia, i takon plejadës së atdhetarëve shqiptarë, të ikur nga përndjekja politike e ish Jugosllavisë  titiste të viteve 1980-ta, ku si rezultat  i represionit dhe dhunës policore ndaj demonstratave studentore të vitit 1981, shumë të rinj u detyruan të lënë vendlindjen dhe të arratisen në vendet perëndimore. Fatin e asaj situate e jetoi edhe Sami Gashi - Malësia, i cili u vendos në Gjenevë të Zvicrës, për të vazhduar veprimtarinë atdhetare në mërgatën e organizuar shqiptare.

 

Përveç aktiviteteve kombëtare Samiu - Malësia, dha kontribut të çmuar në fushën e kulturës dhe muzikës shqiptare, si krijues dhe interpretues i folklorit me taban patriotik.

 

Pas çlirimit të Kosovës më 1999, ideal për të cilin kontribuoi shumë, Samiu u angazhua në fushën politike në Gjenevë, çka arriti të votohet si deputet i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës. Arriti suksese kulmore në shkollimin superior universitar të fëmijëve.

 

Vajza Drenusha dhe djali Driloni, kanë kryer fakultetin juridik dhe specializime pasuniversitare në Universitetin e Gjenevës dhe tani Drenusha e Driloni, punojnë avokatë të instancave Konfederale Helvetike në Gjenevë.


Patriotët shqiptarë në mërgatë, që kontribuuan aq shumë në çlirimin e Kosovës nga okupimi qindvjeçar serbomadh, të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të edukimit dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, punuan dhe sakrifikuan shumë për të arritur fëmijët e tyre suksese madhore në kulturë, arsimim, shkencë dhe dije superiore. Këtë aspiratë e realizoi suksesshëm edhe Sami Gashi me fëmijët e tij, të cilët dinjitetshëm ushtrojnë profesionin e avokatit në Gjenevë, me reputacion të lartë si shqiptarë, në shoqërinë zvicerane, me origjinë nga Kodra e Shqiponjave të Dukagjinit të Kosovës.

S.S.

Comments