Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë
Parimet
e përgjithshme/Elementet kryesore
Korniza ligjore
1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe ligjet e Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet juridik, i definuar me Statutin e tij, që do të përmbajë së paku elementet e mëposhtme:
3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të cilin e përbëjnë anëtarët e zgjedhur me vota nga radhët e kuvendeve të komunave pjesëmarrëse.
Objektivat
4) Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, objektivat kryesore të Asociacionit/Bashkësisë do të jenë ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike për:
a)
fuqizimin e demokracisë lokale;
b)
ushtrimin e vështrimit të plotë
për zhvillimin e ekonomisë lokale;
c)
ushtrimin e vështrimit të plotë në
fushën e arsimit;
d)
ushtrimin e vështrimit të plotë
për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjes
sociale;
e)
ushtrimin e vështrimit të plotë
për koordinimin e planifikimit urban dhe rural;
f)
aprovimin e masave për
përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë;
g)
zhvillimin, koordinimin, dhe
lehtësimin e veprimtarive kërkimore dhe zhvillimore;
h)
promovimin, afirmimin, dhe
avokimin e çështjeve me interes të përbashkët për anëtarët e tij dhe
përfaqësimin e tyre, përfshirë tek autoritetet qendrore;
i)
ofrimin e shërbimeve për anëtarët
e tij në përputhje me ligjet e Kosovës;
j)
vlerësimin e ofrimit të shërbimeve
publike për anëtarët e tij dhe për banorët e tyre me
qëllim të përkrahjes së
Bashkësisë/Asociacionit për formësimin e qëndrimeve me
interes të përbashkët lidhur
me pjesëmarrjen në punën e autoriteteve qendrore;
k)
monitorimin sipas nevojës të
zbatimit të objektivave të tij;
l)
vendosjen marrëdhënieve dhe hyrjen
ne aranzhime bashkëpunimi me asociacionet
tjera të komunave, vendore dhe
ndërkombëtare.
5) Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca tjera shtesë, të cilat mund t’i delegohen nga autoritetet qendrore.
Struktura organizative
6)
Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë
këto organe:
a)
Kuvendin, si trup më të lartë, të
cilin e përbëjnë përfaqësuesit e emëruar nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse,
nga anëtarët e tyre të zgjedhur. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë
amendamentet e Statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret dhe
udhëzimet tjera administrative në pajtim me Statutin dhe ndërlidhur me objektivat
e tij.
b)
Të gjitha amendamentet e Statutit,
rregullorja e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme si edhe vendimet të
cilat i miraton Kuvendi do të jenë të zbatueshme për anëtarët e tij, përveç në
rast se ndonjëri nga anëtarët paraqet formalisht vendim tjetër.
c)
Kryetari, i cili do ta përfaqësojë
Bashkësinë/Asociacionin, përfshirë tek autoritetetqendrore dhe jashtë Kosovës.
Kryetarin do ta ndihmojë nën-kryetari. Kryetarin dhe nën-kryetarin do t'i
zgjedhë Kuvendi, nga radhët e anëtarëve të Kuvendeve Komunale pjesëmarrëse, dhe
të kryetarëve të komunave.
d)
Këshilli i përbërë nga më së
shumti 30 anëtarë, banorë të komunave pjesëmarrëse, përfshirë të gjithë
kryetarët e këtyre komunave; Këshilli është trup këshillëdhënës, i cili jep
udhëzime për punën e Asociacionit/Bashkësisë.
e) Bordi, i përbërë nga 7 anëtarë, të zgjedhur me votë nga Kuvend, nga
radhët e kryetarëve dhe banorëve të komunave pjesëmarrëse, përbërja e saktë e
të cilit do të definohet në Statut, do të ketë të drejtë të marrë vendime të
nevojshme për menaxhimin ditor të Bashkësisë/Asociacionit. Anëtarët e Bordit,
gjatë punës së tyre, do të përkrahen nga kolegjiume profesionale të përbëra nga
ekspertë të fushave përkatëse që përkojnë me objektivat dhe detyrat e
Asociacionit/Bashkësisë. Statuti do të definojë numrin e kolegjiumeve
profesionale dhe përgjegjësitë e tyre ndaj anëtarëve të Bordit.
f)
Administrata, e udhëhequr nga
Shefi i Administratës, i cili emërohet nga Bordi dhe iraporton Bordit, për të
ndihmuar punën e Bashkësisë/Asociacionit, në veçanti Borditdhe Kryetarit. Stafi
i administratës do të përfitojë nga statusi i të punësuarve, në përputhje me
ligjet e Kosovës, duke përfshirë Ligjin e Punës dhe Ligjin mbi Shërbimin Civil,
të cilat ua mundësojnë të ushtrojnë detyrat e tyre administrative. Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë
mund të vendosin të përdorin një numër të të punësuarve për të përkrahur
Bashkësinë/Asociacionin në përmbushjen e objektivave të tij.
g) Zyra e ankesave, me mandat që të shqyrtojë ankesat që kanë të bëjnë me objektivat e tij.
7)
Selia e Bashkësisë/Asociacionit do
të përcaktohet me Statut.
Marrëdhëniet me autoritetet qendrore
8) Asociacioni/Bashkësia do të punojë me
autoritetet qendrore sipas parimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe
shkëmbimit të informatave.
9) Asociacioni/Bashkësia do të promovojë
interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritet qendrore.
10) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë
të propozojë, në përputhje me ligjet e Kosovës, amendamentet e legjislacionit
dhe rregulloreve tjera relevante për përmbushjen e objektivave të tij.
11) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë
të iniciojë apo të marrë pjesë në procedurat gjyqësore në gjykatat kompetente,
përshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo
institucion që ndikon në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë,
në përputhje me Statutin e tij.
12) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë
të nominojë përfaqësues në organet/trupat kompetente të qeverisë qendrore, përfshirë
Këshillin Konsultativ për Komunitete. Me qëllim të përmbushjes së funksionit
monitorues, të paraparë me Marrëveshjen e Parë, përfaqësuesi i
Asociacionit/Bashkësisë do të ketë të drejtë të ketë qasje në informatat e
autoritetet qendrore, në përputhje me ligjet e Kosovës.
13) Në emër të Asociacionit/Bashkësisë, katër
kryetarët e komunave veriore do t'i ofrojnë Ministrisë së Brendshme një listë
të kandidatëve për emërim si komandant i policisë rajonale, siç përcaktohet në
Nenin 9 të Marrëveshjes së Parë.
Kapaciteti ligjorë
14) Asociacionit/Bashkësisë do ti ofrohet
hapësira e nevojshme ligjore, sipas ligjeve të Kosovës, në mënyrë që të
përmbushë objektivat e tij, përfshirë të drejtën e posedimit të pronës së
luajtshme dhe të paluajtshme, të bashkëpronësisë së kompanive që ofrojnë shërbime
lokale në kuadër të fushëveprimit të Asociacionit/Bashkësisë dhe të lidhë kontrata,
përfshirë kontrata pune.
15) Në bazë të Marrëveshjes së Parë,
Asociacioni/Bashkësia konsiderohet i themeluar, pas miratimit të dekretit, për
përmbushjen e objektivat e tij.
Buxheti dhe përkrahja
16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin
e tij, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe
llogaridhënies si dhe me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik.
Këto parime posaçërisht do të vlejnë për
dedikimin e fondeve, përfshirë ato të përshkuara në pikën 17d.
Do të ketë auditim të shpenzimeve nga
autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm.
17) Asociacioni/Bashkësia do të financohet
nga:
a)
kontributet e anëtarëve të tij;
b)
të hyrat dhe të ardhurat nga
shërbimet që i ofron Asociacioni/Bashkësia, kompanitë e tij, apo që do të burojnë nga asetet e tij të
luajtshme dhe të paluajtshme;
c)
transferet nga autoritet qendrore;
d)
kontributet, grantet, donacionet
si dhe përkrahja financiare e asociacioneve dhe organizatave tjera, vendore dhe
ndërkombëtare, si edhe nga Republika e Serbisë; Bashkësia/Asociacioni do të
lirohet nga detyrimet dhe taksat për përmbushjen e objektivave të tij, sipas të
njëjtit model me komunat pjesëmarrëse.
Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare
18) Asociacioni/Bashkësia do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër, me kusht që të pajtohen anëtarët e tij.
19) Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit të tij, të miratuar me shumicë prej 2/3 e anëtarëve të tij.
20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë t'i ketë simbolet zyrtare të tij (stemën dhe flamurin), në përputhje me ligjet e Kosovës.
21) Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të
hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të prezantohet në Dialogun e Nivelit të
Lartë, brenda 4 muajve nga data e arritjes së marrëveshjes për këto
parime/elemente, sipas nevojës, me lehtësimin e Ministrisë së Qeverisjes
Lokale. Statuti do të konfirmohet me dekret, pas marrëveshjes në Dialog.
Secili amendament do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia, do të konfirmohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
22) Brenda një viti nga aprovimi i Statutit të Asociacionit/Bashkësisë do të bëhet shqyrtimi i implementimit të tij, përfshirë çështjet që burojnë nga Neni 5 i Marrëveshjes së Parë
.25 gusht 2015Kjo marrëveshje ishte kritikuar haptas nga opozita dhe publiku i gjerë në Kosovë. Ajo nxiti krizë të paparë në vend, përfshirë protesta masive. Opozita madje inicioi një peticion me 200,000 nënshkrime, të cilin e dorëzoi në Parlament.
E shtyrë nga tensionet në rritje, më 31 tetor 2015, Presidentja e Kosovës, parashtroi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për ta vlerësuar përputhshmërinë e “parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore të AKS-së” me frymën e Kushtetutës.
Gjykata konstatoi se parimet nuk janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht gjeti se:Objektivat, organizimi strukturor, buxheti, mbështetja dhe dispozitat e përgjithshme të Asociacionit, i tejkalojnë standardet kushtetuese të Kosovës për vetëqeverisje lokale;
E drejta e nismave ligjore, ju garantohet ekskluzivisht Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit ose së paku dhjetë mijë qytetarëve;
Asociacioni nuk mund të ketë autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës, në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore.
Pas verdiktit të gjykatës, zbatimi i marrëveshjes u bë i pamundur.
Comments