(Shkrim i mbështetur në ditarin e burgut)
Pjesa e tretë
Burgu, si asgjë tjetër, ta mundëson një luks
të rrallë; të kesh kohë të mjaftueshme për të menduar për gjithçka. Ti je aty i
ngujuar e pa asnjë të drejtë. Asgjë nuk mvaret prej teje, pos mikroorganizimi i
një jete në zgripc (si ta mundësh pagjumësinë, si të bëhesh imun ndaj
hajvanllëkut, me të cilin detyrohesh të jetosh në një kthinë 16 m katror, si ta
ushtrosh organizmin për ta tretur ushqimin që nuk e hanë as qentë, si ta
injorosh rojën që është ose i lig ose kokrra e budallës, si ta ushtrosh krejt
qenien tënde që spiunin, që e di se thotë e shpif çdo gjë kundër teje pa asnjë
shpërblim ose me premtimin që t'i falet një pjesë e dënimit, ta durosh me një
indiferencë biblike, edhe kur çohet natën dhe përpiqet me e deshifru se çka po
flet jerem apo kur ai bën edhe akrobacione të pabesueshme me t'i zhbirilu edhe
ëndërrat e mëngjesit...), dhe liria e paanë për t'i hipur imagjinatës teposhtë
e përpjetë, kudo nëpër tokë e, besa, edhe nëpër hemisferë; t'i lexosh librat e
gazetat dhe t'i analizosh ato nga të gjitha këndveshtrimet e mundshme, të
mendosh deri edhe në detajet më të vogla për çdo veprim tëndin paraprak, t'i
analizosh ngjarjet dhe njerëzit pa komplekse dhe me paanësi absolute...
Pas vdekjes së Titos, në pritje të ndryshimeve
të mëdha, sidomos Kosova ndodhej në një udhëkryq historik. Pyetja jetike ishte:
kah me ia mbajtë?
Prandaj nuk duhej ndonjë zgjuarsi e veçantë
për ta kuptuar se gjendja ishte eksplozive.
Temat kryesore që trajtoheshin për çdo ditë në
medie ishin
- Ngjarjet në Poloni, dhe
- Përkeqësimi i gjendjes ekonomike
Kriza në Poloni, në thelb të së cilës ishte
kundërshtimi i komunizmit dhe shtypjes ruse, e ushqente për çdo ditë
pakënaqësinë e shqiptarëve në trojet e pushtuara, sepse analogjia ishte vërtetë
e prekshme.
Në anën tjetër, gjendja ekonomike ishte e
rëndë. Mediat, ani se maksimalisht të kontrolluara, megjithatë njoftonin për
greva e protesta. Për shembull në Thertore, në Fushë-Kosovë: punëtoret kishin
hyrë nëpër zyra dhe e kishin nxjerrë drejtorin si papazin, drejt e në rrugë...
Në Kroaci kishte greva për çdo ditë dhe shtypi i regjimit detyrohej ta pranonte
se grevistët kishin të drejtë.
Në fillim të vitit 1981, në atë Republikë
kishin marrë pjesë në greva mbi 4000 punëtorë.
Një serbo-malazez, kuadër i Kosovës në
Federatë, më duket se quhej Ilija Kovaçeviq, në një intervistë thoshte se
diferencat e zhvillimit ekonomik mes Kosovës dhe njësive të tjera të federatës
po përthelloheshin dhe se kjo mund të ketë pasoja shumë të rënda politike...
* * *
Më 11 mars 1981, paradite, pas shumë kërkesave
që të më çojnë te dentisti, më në fund më çuan. Para se të hipim në veturë, në
korridorin e drejtorisë, i pashë nja dy-tre tipa që ishin fytyra të njohura; i
kisha parë përmes dritares në zyrat e UDB-së përballë burgut.
Me mua erdhën dy roje dhe shoferi. Dentisti
konstatoi se njëri dhëmb, ai që më dhimbte si me ma shti gjilpërën, më kishte
shku për lesh, prandaj ma nxori, ndërsa tjetrin kishte mundësi ta shëronte. Kur
më nxorën nga ambulanca e vërejta se ata tipat e UDB-së kishin qenë edhe aty,
njëri prapa derës në korridor, ndërsa dy të tjerë, në veturë, te dera e
jashtme. Kjo ishte një shenjtë se radarët e drejtorit, Svetës, nuk ishin ndalë.
Vetë më vete, a mendoni ju se unë do t'ia ther kështu si garip? E more
Sveto..., kur të iku unë ka me të kërsitë edhe tepja e kresë. Qe besa!
Kishte shumë vjetë që nuk e kisha parë Kosovën
ditën. Bënte një mot as-as. Fryente një erë e shkretë dhe i endte copat e
letrës sa në një cep sa në cepin tjetër të rrugës. Ishte kufiri mes dy stinëve;
dimrit që nuk pranon të ikë dhe të pranverës së ethshme për ta shtrirë
“pushtetin“ e saj. Kishte diçka shpërthyese në atë atmosferë. Diçka që e shohim
te filmat klasikë për Perëndimin e egër, kur, para se me fishkëllu plumbat,
vërshëllon një erë e rrezikshme...
Te nesërmen dolëm në shëtitje. E pamë kur i
sollën gazetat, por nuk na i dhanë.
Duhet të ketë ndodhur diçka sigurisht.
Kompletin e Kadaresë e kam përfunduar. Shkruan
bukur. Kryeshtylla e gjithë krijimtarisë së tij është qëndresa e shqiptarëve
përballë furtunave të historisë. Në disa prej veprave të tij hetohet ndikimi i
Dostojevskit.
Shpresoj se javën e ardhshme do të ma sjellin
kompletin e Shekspirit.
Çdo gjë që e bën njeriu në burg është ndryshe.
Sidomos leximi kthehet ne një përjetim krejt të veçantë, që më shumë i gjason
thithjes me tru...
Pas dite, kur na nxorën në shëtitje, derisa
ishim te lokalet e tualetit, Bajraktari, krejt papritur, ia nisi të qajë me
dënesë... “I kam lënë fëmijët vetëm, nuk e di se çka do të ndodhë me ta. Djali
është ushtar... Vëllau kujdeset për ta, por edhe ai jeton në skamje...“ Ishte
tepër e rëndë ta shohësh një burrë 64 vjeç kah qante si fëmijë. Memzi e
qetësova.
Kur na nxorën në oborr, Ismeti, kuzhinieri, po
i qëronte do patate. Duke bërë rrathë, kur iu afrova pranë, më pëshpëriti të
vogël: “Dje ka qenë tollovi në Prishtinë..., studentët kanë demonstruar dhe e
kanë bërë llom çdo gjë që u ka dalë përpara...“
Ishte lajm shumë i mirë.
Edhe në UDB ka shumë më tepër lëvizje. Më 15
mars, asaj zyrës që ishte pranë oxhakut dhe që e vetmja kishte grila, ia vunë
një perde stofi. Tërë natën po punon dikush aty.
* * *
E enjte, 26 mars. Është një ditë shumë e
bukur, taman pranverë. Kam fjetur shumë mirë, por u zgjova herët. Në të vërtetë
më zgjoi një trio e këtushme: sorrat, pëllumbat dhe kumriat. Sikur bënin garë
me njëra-tjetrën. Po të mos ishte krrokama e sorrave do të ishte një koncert i
bërë për shpirtin...
Duke menduar për këtë, m'u kujtua poezia e
Latif Berishes “Tri gotat“. Idhtësia i lëshon pikat e saj edhe në kulmin e një
hareje. Kur mendoj për këtë profesor timin, më ndodhë ta pyes vetën, pse ky
njeri i mirë e poet me shpirt e ka shkruar vetëm një përmbledhje me poezi? Në
burg kam ardhur te përfundimi se atë duhet ta kenë arrestuar, duhet të kenë
bërë presion mbi të, duhet të kenë kërkuar sqarime për çdo shkronjë e për çdo
varg, dhe kështu ia kanë ngulfatë përgjithmonë frymëzimin. Si puna e kronit.
Kam dëgjuar se nëse preket burimi me rrëmihje e zhbirilime ai po ndalej... Ma
merr mendja ,me të lëvizur gurët, mbyllet plasa dhe i zihet fryma, udha ujit...
Edhe sonte po punojnë në zyrën me perde. Mund
të jetë kthinë për tortura dhe grilat ia kanë vënë që viktima, kur t'ia sjellin
shpirtin te hunda, mos me pasë mundësi as me këcy për dritare e me ia shkurtu
vuajtjet vetës... Por po të ishte kthinë për tortura, megjithatë do të
ndëgjoheshin gjamët e viktimës.
Më parë do të thosha se aty është arkivi dhe
tash kanë nevojë me i shfletu dosjet e reja e të vjetra...
Punë dreqi.
Për çudi të gjitha dritat në UDB janë ndezur
sonte. Nëpër zyra ka plot njerëz.
Sot pasdite e aktivizuan vrojtoren
(karakollin), të cilin nuk e përdornin asnjëherë. Pasi e pastruan, e vendosën
një karrigë e me të edhe një roje burgu me pushkë në krah.
Më 27 mars nuk na i sollën gazetat. Rojet e
ndryshuan qëndrimin. Rrinin mërrolt, pos Demushit. Ky e sillte truçin e
çelësave me gisht dhe na thoshte: Hajde delni pak me shëtitë se keni nevojë për
ajër të pastër e për diell...
Në vrojtore ishte Hafizi. I kishte bërë sytë
kapitash, prandaj nuk guxova të afrohem afër kuzhinës për ta pyetur Ismetin për
gazeta. E pyeta Demushin kah na solli nga shëtitja: Sveta i ka marrë krejt
gazetat dhe i ka lënë në zyrën e tij.
"E çka po i vyejnë -, i thash?"
U përpoq të më thotë diçka me sy, por kur e pa
se nuk kuptova u afrua krejt pranë dhe më tha se: "Dje krejt Prishtina
është kallë flakë..."
E diel, 29 mars 1981
Më thirrën në vizitë. Kur shkova, në sallë
kishte qenë Nana Zojë, nëna e Binak Ulajt, dhe Nana ime. U gëzova shumë.
Fillimisht nuk kishin dashur ta lëshojnë Nanën Zojë, sepse nuk ka qenë e shënuar
si pjesë e ngushtë e familjes, por njëri prej gardianëve kishte thënë: Lëreni
se qenka plakë dhe një zot e di a do ta shohë ma ndojherë...
Nana Zojë më tregoi për Binakun, po u fejoka
këto ditë... Më tregoi edhe për familjen e Kadriut dhe të njohurit e përbashkët.
Ajo që më bëri përshtypje ishte se edhe Kadri Osmanin e kishin sjellur në
Kosovë, në Mitrovicë. Më shkoi mendja menjëherë se mos i kanë arrestuar
Mjeshtrin (Mehmet Hajrizin) dhe të tjerët e tash duan të na nxjerrin në gjyq
edhe njëherë, të gjithëve bashkë...
Xhavit Dërmaku po punoka në Obiliq. U gëzova
për të.
E pyeta Nanën Zojë për Nezir Qosjen, më tha se
është martuar dhe se aktualisht është ushtar.
Nëna më tha të vogël: krejt Kosova është në
këmbë. Kurrë nuk ka qenë ma urrfije. Është mbushë Kosova me policë e me
ushtarë.
* * *
E premte, 3 prill 1981
Mbrëmë, i mbyllën kuzhinierët pa rënë zilja
për gjumë. Diçka e veçantë duhet të ketë ndodhur... Para se të na i ndalin
dritat, hynë rojet nëpër të gjitha dhomat dhe i morën dyshekët e bataniet e tepërta.
Pas mesnatës më doli gjumë, nga rrapëllima e dyerve. E sollën një truç me të
burgosur.
U çudita shumë, sepse transferi zakonisht
bëhej ditën.
Njëfarë Ilia që punon në kuzhinë, është bukur
llafazan. Kur dolëm në shëtitje, në mëngjes, ishte duke e fshirë oborrin. “ A
po mërzitesh?"- i thash të vogël (kjo është pyetja më e shpeshtë që të
burgosurit ia bëjnë njëri-tjetrit).
“Po bogami... se e kam gruan sëmurë... -
pushoi pak dhe pasi kqyri drejt vrojtores, vazhdoi: “Qe dy ditë krejt Prishtina
është në këmbë. Sidomos dje ka qenë shumë rrezik. Punëtorët e Ramiz Sadikut dhe
të Obiliqit, nuk ka mundur t'i ndalë as ushtria...“
Vetë me veti, oooh goja t'lumtë!
Vllada prej vrojtores i bërtiti serbisht,
Ilisë: “Luje fshisën e mshele gojën...!“
Na futi brenda menjëherë.
Pasdite nuk na lëshuan fare në shëtitje, por
na i dhanë gazetat.
Krejt faqja e parë e “Rilindjes“ po shkruan
për demonstratat. Ishte edhe një deklarat e Xhavit Nimanit, permes së cilës
kërcënohej se ndaj demonstranteve dhe "forcave armiqësore" do të
ndërmirren masa të ashpra. Demonstrata paskesh pasur në Prishtinë dhe në qytete
të tjera.
Ajo që më shqetësoi ishte se, sipas shtypit,
demonstruesit kanë përdorë armë kundër organeve të rendit. Nuk e besoj, por
duhet të ketë të vrarë dhe regjimi e përdor këtë rrenë për t'i arsyetuar
vrasjet.
Xhavit zeza po e pranon se në demonstrata kanë
marrë pjesë edhe punëtorët, por Lidhja e Komunistëve paskësh vendosur t'i
“ndihmojë ata që të mos mashtrohen nga
forcat armiqësore...“
Vetë më vete: E di se si do t'i ndhmoni ju
ata..., do t'i ndihmoni duke ua thyer brinjtë dhe duke i sjellur këtu, në burg,
që t'u ndihmojë edhe më gjatë Gani Tara me shokë...
Qenka shpallur gjendje policore. Sekretari
krahinor i Punëve të Brendshme paska lëshuar urdhëresën qe të mos shetiten më
shumë se 5 njerëz bashkë...
Në shtyp paskeshin publikuar telegrame
“perkrahëse" që “kolektivet punuese“ u paskeshin drejtuar organeve të
shtetit. Çfarë hipokrizie! Taman metoda fashiste!
* * *
Rreth orës 2 pasdite i mbyllën kuzhinierët
nëpër dhoma dhe nuk na lëshuan në shëtitje. S'vonoi shumë veç kur u dëgjuan
brohoritjet e turmës. Vinin valë-valë si gjamët e detit.
Po bëhej demosntratë edhe në Ferizaj! Në
vrojtore shkuan menjëherë dy roje: Muhameti dhe Hajrizi, që të dy me pushkë.
Tash dëgjoheshin parullat më qartë. Dominuese
ishte “Kosova - Republikë“!
Dikur: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja
me tutë apo me pushkë, nuk ndëgjohej bash qartë...
Kur erdhën afër burgut, ndëgjohej parulla
Enver Hoxha, Enver Hoxha...
Pastaj u larguan, mirëpo nuk vonuan dhe u
kthyen prapë afër burgut...
Kur u rikthyen të tretën herë, ia kanë dhënë
burgut një batare me gurë e cunga sa që kërcisnin tjegullat si me qenë kobure,
ndërsa dhomat e muret ushtonin!
Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta përjetosh
rrahjen e burgut me gurë e me drunj! Burgut këtij personifikimi origjinal të
regjimit.
Për dritare e shihnim duke rënë në oborr
breshëri me gurë, me tulla e me cunga. Një gurë arriti deri te ndërtesa e
UDB-së dhe e theu xhamin e shkallëve të saj.
Vrima që hapi guri në xhamin qorr, ka mbetur
ashtu disa muaj rresht.
Jashtë ndëgjoheshin krisma armësh dhe
shpërthime që i gjasonin bombave. Veç kur ia ka nisë të gjuajë me pushkë edhe
ky Hajriz zeza nga vrojtorja. Në fakt ky e bënte prej tute. Sepse nga shtrati i
sipërmë unë e shihja prej fillimit se si cacitej nëpër vrojtjoren e ngushtë dhe
se si e kruante qafën. Ma çonte mallin e qenit të zhugavt kur e kulmisin
grejzat. Ishte shumë gallatë!
Njëri prej prej të burgosurve në dhomë, e theu
heshtjen: Vallaha burra, kijameti nuk mundet me kanë ndryshe!
Ndërsa Bajraktari ishte hipë në shtratin e
sipërm, më shikonte me kënaqësi, e çonte dorën te zemra dhe i vizllonin sytë e
i qaravesheshin mustaqet. Por kujdesej që të mos e shohin të tjerët. Dreqi!
Në ndërkohë u ndëgjuan zinxhirët e tankeve e
menjëherë pastaj helikopterët, më duket se ishin dy. Dridheshin muret dhe
ushtonte burgu.
Në mbrëmja ra heshtja, dikur, më vonë,
ndëgjoheshin vetëm sirenat e policisë dhe herëpasherë helikopterët.
Në UDB shihej tollovi. Në një moment m'u duk
se, në zyrën e 'naçallnikut', u futën tre ushtarakë.
* * *
Tashmë ishte bërë një çarje serioze në
ngrehinën e regjimit dhe unë duhej të jem praktik. Së pari, i mblodha të gjitha
shënimet që i kisha fshehur në fund të librave, mes kopertinave e vendlidhjes,
i maskova në një pako cigaresh dhe, kur na dërguan në toalet, dikur vonë, i
thash axhës Ali: Në këtë tollovi me mua mund të ndodhë gjithçka, prandaj po ta
lë në besë këtë pako cigarësh..., në të e kam futur një letër për familjen
time. Kur të dalësh shko te babai im dhe dorëzoja.
“Besa e Zotit t'koftë dhanë“, - më tha.
Tash ishin ndarë dhentë dhishë njëherë e
përgjithmonë. Dhe unë vendosa që të mendoj vetëm se si me ia shkelë prej këtu
sa më shpejtë. Nuk kisha më asnjë dilemë.
Pas tri ditësh i sollën demonstruesit që i
kishin arrestuar. U mbush burgu plot e përplot.
Në dhomën pranë timës e sollën Ismet Sopin dhe
plot të tjerë, ndërsa në dhomën 11 apo 15, s'më kujtohet saktësisht, Adem
Salihajn, gazetar i Televizionit. Me Ademin njiheshim, sepse kishim qenë
anëtarë të së njëjtës organizatë ilegale.
Pas nja një jave, në mbrëmje vonë, krejt
papritur dhe në krejt burgun shpërtheu kënga:
Ushton gryka e Kaçanikut
morën zjarr k'ta gur't e malit,
përmbi çallma t'Anadollit,
Ndizet huta e Shqiptarit!
Hej Kaçanik o shkëmbë e gurë,
Vritesh e pritesh për Flamur!
...
Kur e ndëgjova këtë kushtrim të rinisë së
Kosovës, m'u çu' zemra peshë!
Kurrë në jetën time nuk kam qenë aq i lumtur e
aq krenar.
Vetëm për këtë çast magjik, ia ka vlejtë t'i
kalojë, pa asnjë ligështim e pendesë, që të nëntë rrathët e ferrit.
Në këtë moment të papërsërishëm, ma çau
shpirtin, si me thikë, keqardhja pse këto çaste heroike nuk mund t'i ndaja me
Adem Demaçin, Kadri Osmanin, Rexhep Malën, Isa Kastratin dhe me shumë të tjerë.
* * *
Atë natë e tutje e braktisa leximin. Ushtroja
rregullisht dhe e tirrja mendimin derisa pa e këputë.
Pas tre-katër ditësh e kristalizova qart idenë
e daljes në Perëndim. Numri i madh i njerëzva tanë atje, krijonte mundësinë për
hapjen e një fronti krejt tjetër, diçka ngjashëm si në kapërcyell të shekujve
19-20, disa vjet para Shpalljes së Pavarësisë...
Përfundim:
Kam pasur rastin të lexoj shumë shkrime për
demonstratat e vitit 1981, por edhe të dëgjoj debate të ndryshme. Rrallë më ka
ndodhur të lexoj ose të ndëgjojë analiza të sakta, të zhveshura nga çdo
subjektivizëm.
Posaqërisht të padenjë më duken ata që
mistifikojnë rolin e tyre në këto demonstrata dhe vjelin “merita“ nëpër ajr...
Por veçanërisht të neveritshëm më duken ata që
asokohe ishin pjesë e nomenklaturës dhe tashti përpiqen t'u japin atyre
ngjarjeve ngjyrim komplotist, duke shkuar aq larg sa të thonë se demonstratat i
ka organizuar Moska, UDBA, KOSI apo dreqi e i biri, ndërkohë që e vërteta është
aq e thjeshtë dhe krejt e dukshme:
Kosova ishte rritur, ajo po burrënohej për çdo
ditë dhe, për pasojë, atë nuk po e zinin më teshat që ia kishin prerë dhe qepur
të tjerët.
Përmes këtij shpërthimi historik ajo, krejt
natyrshëm, kërkonte që teshat për trupin e saj, t'i presë e t'i qepë sipas
kutit dhe shijes së vet.
Xhafer Shatri
Comments