Protestat e fundit nisën në fund të dhjetorit nga tregtarët e Bazarit të Madh në Teheran, të zemëruar nga rritja e çmimeve dhe kriza ekonomike. Shpejt, demonstratat u përhapën në mbarë vendin dhe në disa raste u shndërruan në përplasje të dhunshme. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për dhjetëra viktima.
Qeveria iraniane përpiqet të diskreditojë protestat duke i atribuar ato shërbimeve sekrete të huaja, ndërkohë që pakënaqësia e qytetarëve është reale dhe e thellë. Shumë iranianë, sidomos të rinjtë e arsimuar, ndihen pa perspektivë dhe të goditur rëndë nga varfëria. Protestat ekonomike po shndërrohen gjithnjë e më shumë në thirrje politike kundër Republikës Islamike dhe udhëheqësit suprem Ali Khamenei.
Në këtë klimë, disa protestues shprehin nostalgji për periudhën para-revolucionare dhe përmendin Shahun dhe djalin e tij. Reza Pahlavi II, nga mërgimi në SHBA, përpiqet të paraqitet si një figurë bashkuese, madje e quan veten “princi i kurorës” dhe “babai i iranianëve”. Sipas disa analistëve, ai synon të krijojë një kornizë simbolike nën të cilën mund të formohet një rend i ri politik.
Disa intelektualë dhe aktivistë besojnë se Pahlavi mund të luajë rol mbështetës nga jashtë dhe të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare. Megjithatë, ekspertë të tjerë janë skeptikë. Ata theksojnë se, ndryshe nga Ajatollah Khomeini në fund të viteve 1970, Reza Pahlavi nuk ka një ideologji të qartë apo një lëvizje të organizuar pas vetes. Vetë fakti që ai është “djali i Shahut” nuk mjafton për të mobilizuar masat.
Një problem tjetër madhor është mungesa e unitetit të opozitës iraniane. Ajo përbëhet nga grupe shumë të ndryshme – nga separatistë dhe rajonalistë deri te liberalë, centristë apo grupe radikale – pa një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, shumë qytetarë nuk janë të fokusuar te ideologjia apo figurat politike alternative, por thjesht kërkojnë një jetë më të mirë, më shumë liri dhe fundin e represionit. Sipas disa vëzhguesve, pothuajse çdo familje në Iran është prekur nga dhuna shtetërore, burgosjet apo varfëria.
Pavarësisht pasigurisë për drejtimin që mund të marrë vendi, protestat e fundit – me dhjetëra mijëra pjesëmarrës dhe qindra demonstrata në dhjetëra provinca – tregojnë se presioni ndaj regjimit po rritet ndjeshëm. Nëse kjo do të çojë në ndryshim real dhe çfarë roli mund të luajë Reza Pahlavi II, mbetet ende e hapur.
xh.selmani

Comments