Kriza politike që po zvarritet në Kosovë nuk është më pasojë e mungesës së numrave. Është pasojë e një filozofie politike që pushtetin e sheh si monopol dhe institucionet si prona të fituesit.
Nëse një president nuk është plotësisht në linjë me kryeministrin, atëherë ai bëhet problem. Ky është mesazhi që po përcillet prej muajsh në skenën politike.
Mosmbështetja e një mandati të ri për Vjosa Osmanin është interpretuar gjerësisht si shenjë se Albin Kurti nuk kërkon thjesht një president të zgjedhur nga shumica, por një president politikisht më pak i pavarur dhe më të përshtatshëm për projektin e tij të qeverisjes. Qoftë apo jo ky motivimi real, perceptimi publik është krijuar pikërisht nga mënyra se si është menaxhuar ky proces.
Në vend që të kërkojë kompromis, vendi po mbahet peng nga një logjikë e thjeshtë: ose presidenti zgjidhet sipas dëshirës së pushtetit, ose vendi shkon sërish në zgjedhje. Kjo nuk është kulturë demokratike; është presion politik mbi institucionet.
Zgjedhjet nuk mund të shndërrohen në një referendum të pafund derisa një parti të sigurojë çdo post kushtetues. Demokracia nuk është garë për të pushtuar çdo institucion. Demokracia është aftësi për të bashkëjetuar edhe me institucione që nuk kontrollohen plotësisht nga qeveria.
Raportet e shkatërruara me LDK-në nuk janë rastësi. Ato janë trashëgimi e mënyrës se si u prish koalicioni i vitit 2020, duke krijuar një hendek mosbesimi që vazhdon edhe sot. Pikërisht për këtë arsye, sot mungon kapitali politik për kompromis. Kur digjen urat e bashkëpunimit, nuk mund të pritet që ato të rindërtohen vetëm kur pushtetit i nevojiten votat.
Dështimi i seancave për konstituimin e institucioneve nuk është vetëm një problem procedural. Ai është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj kredibilitetit të shtetit. Çdo ditë e humbur i kushton Kosovës në besimin e qytetarëve, në seriozitetin institucional dhe në imazhin ndërkombëtar.
Ndërkohë, qytetarët përballen me çmime të larta, emigrim, mungesë investimesh dhe një ekonomi që kërkon vëmendje. Elita politike, në vend se të merret me këto probleme, vazhdon të konsumojë energjinë e shtetit në betejën për një post.
Është paradoksale që një forcë politike e cila erdhi në pushtet me premtimin se do ta çlironte shtetin nga kapja, sot përballet me kritika se synon ta përqendrojë gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e saj. Edhe nëse këto kritika kundërshtohen nga mbështetësit e qeverisë, vetë perceptimi i krijuar është një alarm që nuk duhet injoruar.
Presidenti nuk duhet të jetë zgjatim i Kryeministrisë. Ai duhet të jetë garant i Kushtetutës, i balancës institucionale dhe i unitetit të qytetarëve.
Kosova nuk ka nevojë për një president "të bindur". Ka nevojë për një president të pavarur.
Sepse momenti kur çdo institucion fillon t'i shërbejë një njeriu apo një partie, demokracia fillon të humbasë kuptimin e saj.

Comments